Opozita fiton zgjedhjet e përgjithshme në Danimarkë

19/06/2015 00:00

Koalicioni i partive opozitare në Danimarkë arriti të fitojë zgjedhjet e përgjithshme, të cilat përfunduan me një rezultat të ngushtë.

Tashmë me të gjitha votat e numëruara, grupi i qendrës së djathtë i udhëhequr nga ish-kryeministri, Lars Lokke Rasmussen, i cili e udhëhoqi vendin mes viteve 2009-2011, mundi koalicionin e qendrës së majtë të udhëhequr nga kryeministrja Helle Thorning-Schmidt, megjithëse partia e saj ishte më e votuara në zgjedhjet e fundit.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve Rasmussen, i cili me shumë gjasa do të jetë ai që do ta drejtojë sërish qeverinë, mbajti një fjalim të shkurtër.

“Ne arritëm të kthehemi në drejtimin e vendim menjëherë pas 4 vjetësh. Në atë kohë unë kam thënë se ne po i japim çelësat vetëm për një periudhë të shkurtër dhe tashmë ata janë në dorën tonë”, tha ai.

Partia Socialdemokrate e kryeministres Thorning-Schmidt doli partia më e madhe nga zgjedhjet, sipas mediave daneze me 26.3% të votave, por së bashku me aleatët e koalicionit, nuk arriti të krijonte shumicën.

Thorning-Schmidt pranoi humbjen dhe tha se ishte krenare që partia e saj ishte më e votuara në këto zgjedhje, ndërsa shtoi: “Ne humbëm në vijën e finishit”.

Partia Popullore daneze mori 21.1% të votave, ndërsa partia Liberale e Danimarkës, e cila udhëhiqet nga Rasmussen u rendit e treta me 19.5% të votave.

Top Channel