Kosova takon taksistët: Luftë informalitetit; kandidati i PD-së viziton edhe çerdhet

19/06/2015 00:00

Halim Kosova ka zhvilluar këtë të premte disa takime në orët e para të mëngjesit, me qytetarë e banorë që e nisin punën më herët se të tjerët. Kandidati për kryebashkiak ka garantuar taksistët për luftë ndaj informalitetit.

“Ikin të gjithë ata taksistë ilegalë se nuk u intereson atyre të punojnë. Po t’ua rimbursosh naftën këtyre që janë të ligjëruar, ai tjetri s’ka leverdi. Ose do të detyrohet të licencohet, ose s’ka mundësi”, tha Kosova.

“E rëndësishme është që secili nga ju, po jo vetëm nga ju, kudo ku janë njerëzit, duhet thënë një variant që është në të mirën e tyre dhe të qytetarëve. Nëse plotësohen këto dy kushte, o burra përpara”, u shpreh doktor Kosova.

Më pas, ai vizitoi dhe kopshtet dhe çerdhet për të takuar prindërit e për të biseduar me ta. Kandidati i djathtë u ndal tek një çerdhe ku kontribuoi vetë pak kohë më parë që ajo të pajisej me një kënd lojrash.

“Unë thashë më mirë të sponsorizoj diçka, ndonjë çerdhe, ndonjë kopësht që mbetet, se sa t’i bëj lekët flamuj që për pak ditë ikin të gjitha, ose mbeten lart nëpër shtyllë derisa koha t’i seleksionojë”, tha Halim Kosova.

Top Channel