Berat, zjarrfikësja rrëzon shtyllën elektrike; lëndohet një kalimtar

19/06/2015 00:00

Një makinë e repartit të zjarrfikësve në Berat, duke ecur me shpejtësi të lartë, ka goditur dhe rrëzuar një shtyllë elektrike.

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor kryesor të qytetit, ku si pasojë e rrëzimit të shtyllës një kalimtar i rastit ka mbetur i plagosur.

Duke qenë se aksi ku ndodhi ngjarja është e vetmja rrugë e Beratit, bllokimi i trafikut në qytet ka zgjatur thuajse një orë.

Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin e personit të lënduar në spital, ku siç mësohet, është jashtë rrezikut për jetën.

Në rrugën ku ka ndodhur incidenti po kryen punime ndërmarrja e ujësjellësit të Beratit, gjë që ka vështirësuar edhe më tej lëvizjen e mjeteve dhe të kalimtarëve.

Nga të dhënat paraprake mësohet se shkaku ka qenë shpejtësia me të cilën drejtuesi po i jepte automjetit. Materialet i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Top Channel