Qeveria e Kosovës, gati për Gjykatën Speciale. Votohet të premten e ardhshme

19/06/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje të veçantë, ku ka shqyrtuar përmbajtjen e projektligjit për Gjykatën Speciale për krimet e luftës dhe ia ka dërguar Kuvendit si njoftim, para se të miratojnë ndryshimet kushtetuese.

Kabineti qeveritar u zotua se do ta miratojnë projektligjin për Specialen, ashtu siç e ka hartuar Bashkimi Evropian, pasi – pavarësisht përpjekjeve, – nuk kanë arritur të ndryshojnë përmbajtjen e tij. E vetmja fjalë, që Bashkimi Evropian ka pranuar ta heqë nga projektligji për gjykatën, është fjala “gjenocid”.

Përfaqësuesit e qeverisë, që kanë negociuar me Bashkimin Evropian, treguan përpjekjet që kanë bërë, por pa ndonjë rezultat.

“Përkundër këmbënguljeve të grupit politik dhe grupit teknik të Republikës së Kosovës, shumë çështje nuk janë përfshirë, ashtu siç kishim menduar dhe kishim propozuar. Më lejoni të them se, më 29 maj të vitit 2015, në prezencën e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, zëvendëskryeminitrit të Kosovës dhe timen (Kuçi), përfaqësuesi i BE-së Samuel Zhbogar dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jackobson kanë dërguar draftin përfundimtar, sipas tyre, të hartuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundër këmbënguljes sonë, që të përfshihen disa ndryshime, prapë në një takim të njëjtë, me format të njëjtë, por disa ditë më vonë, është theksuar se ky është drafti, të cilin mund ta merrnim ose edhe jo”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

“As ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk kanë të bëjnë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, çështja është të zbardhet drejtësia ndaj dyshimeve për individë të caktuar, për të cilët askush prej nesh nuk e di se kush janë dhe kush do të jenë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ftoi të gjithë spektrin politik, që të krijojnë konsensus për ta miratuar formimin e Gjykatës Speciale.

“I tërë ky proces ka kaluar përmes një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Pas kësaj deklarate të qeverisë, Top Channel ka mësuar se, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të hënën e javës së ardhshme dhe do të caktojë seancën për të premten, ku do të miratohen amendamentet kushtetuese dhe pastaj edhe projektligji për Gjykatën Speciale.

Top Channel