Zgjedhjet, Rama-Meta: Rëndësi kanë standardet

19/06/2015 00:00

Bashkëdrejtuesit e Koalicionit për Shqipërinë Europiane, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Meta i bënë një panoramë zhvillimeve zgjedhore të deritanishme duke e cilësuar 21 Qershorin si një sfidë për Shqipërinë dhe qeverinë në rritjen e cilësisë së zgjedhjeve.

“Në këndvështrimin tonë janë sot këto zgjedhje, zgjedhjet padyshim më të qeta dhe nga pikëpamja e marrëdhënieve të pushtetit me procesin, më të pandikuarat artificialisht me mjetet e pushtetit. Në tërësinë e pretendimeve të PD për mosmbarëvajtjen e fushatës, pjesa më e madhe janë tërësisht artificiale dhe na ngjan si një përpjekje për të nxitur një tension që nuk ka fare hapësirë dhe që nuk gjen vend, pasi të gjithë jemi dëshmitarë që kjo është fushata më e qetë që kemi zhvilluar ndonjëherë”, tha Rama.

“Standard më i rëndësishëm është pjesëmarrja ndaj do të dëshiroja, t’u bëj thirrje qytetarëve që të mos mungojnë në këtë ditë votimi, pasi është një ditë historike, ndan Shqipërinë e një periudhe të vjetër të keqorganizimit administrativ dhe territorial, me Shqipërinë e një epoke të re të një reforme madhore që do të hyjë në fuqi më votën e qytetarëve shqiptare më 21 qershor. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo formë presioni apo përpjekje për të blerë votën dhe ftojmë Prokurorinë dhe Policinë të veprojë ndaj çdo rasti, kudo që ajo do të shfaqet”, deklaroi Meta.

Ndryshe nga fushatat e shkuara elektorale, tha Rama, deri më sot nuk është mbyllur asnjë shkollë dhe nxënësit të viheshin në rresht për mitingjet elektorale, administratës nuk iu bë presion, ushtria nuk u përfshi në aksione elektorale me ndërtimin e rrugëve, sikurse buxheti shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale.

Top Channel e pyeti kryeministrin Rama nëse këto zgjedhje do ta çojnë disa shkallë më lartë cilësinë e zgjedhjeve krahasuar me ato të 2013-s.

“Është e rëndësishme të fitojmë një standard të ri zgjedhjesh që jemi të angazhuar që nga sekonda e parë”, tha Rama.

Për problemet me listat, përfshirë thirrjet për moslejimin e votuesve të regjistruar rishtaz Rama dhe Meta bënë këtë koment:

Rama: Për paligjshmërinë e pretenduar që lidhet me Durrësin, Kavajën, Vorën, ne nuk kemi ndërmend t’u bëjmë thirrje komisionerëve që në Vorë t’u ndalohet të votojnë ata që pretendohet se janë regjistruar në mënyrë të paligjshme, sepse do të ishte që një paligjshmëri, ta luftonim me një paligjshmëri edhe më të madhe.

Meta: Siç e dini gjendja në Bashkinë e Vorës është shumë më e rëndë dhe kritike se sa në atë të Durrësit dhe të Kavajës po të kihet parasysh numri i popullsisë. Ne do t’i shkojmë deri në fund zbatimit të ligjit dhe komisionerët kanë për të detyrë të zbatojnë vetëm ligjin.

Rama edhe njëherë tjetër në mënyrë kategorike hodhi poshtë akuzat për kandidatë të inkriminuar në radhët e koalicionit të majtë duke akuzuar PD se po mban standard të dyfishtë për dekriminalizimin.

“Nuk ka asnjë kandidat të ASHE, të propozuar nga PS dhe të mbështetur nga LSI që të jetë i dënuar nga një gjykatë vendase, apo e huaj. Nëse do të kishim një yll bote të dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë si hajdut i fondeve të bashkisë, ne nuk do ta vendosnim si kandida. Yll bote, jo yll Europe, siç është Xhelal Mziu”, u përgjigj Rama.

Top Channel