Gjuta nuk pranon akuzat; u kap me një pistoletë të larë në ar dhe me inicialet e tij

19/06/2015 00:00

Vladimir Gjuta nuk pranoi asnjë nga akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ai nuk pranoi të jetë organizator i sulmit me tritol në farmacinë e të atit të ministrit të Brendshëm dhe nuk pranoi as të ketë kërcënuar vetë ministrin me mesazhe telefonike.

Burime të policisë bënë të ditura se, Gjutës iu gjet një pistoletë tip “Glock” e personalizuar me inicialet e tij dhe e larë në flori, armë kjo e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Armëmbajtja pa leje do të jetë një tjetër akuzë që do t’i shtohet atij.

Gjuta tha për grupin hetimor se ai do të dorëzohej vetë në polici pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Policia e ka lidhur këtë në mënyrë jozyrtare me faktin se, në xhep i kanë gjetur një listë me persona të stafit elektoral të kandidatit Hasan Halili për Bashkinë e Kukësit, qytet ku edhe Vladimir Gjuta ishte duke udhëtuar.

Gjuta ishte vëzhguar për një kohë të gjatë nga agjentë të policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Në 48 orët e fundit, kohë në të cilën ai po bëhej gati për të lëvizur drejt qytetit verior, forcat policore shtuan numrin e agjentëve në vëzhgim dhe mundën të kryenin arrestin sapo ai hyri në tunelin e Kalimashit, në autostradë.

Lokalizimi i Gjutës ka qenë tepër i vështirë ka thënë policia, e cila shpjegoi se nuk ka përdorur celularë por bashkëpunëtorë për komunikimet. Ndaj Gjutës ka nisur edhe hetimi pasuror. Grupi hetimor tha se, ka të paktën 3 prona të pajustifikuara.

Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me autoritetet britanike, pasi dyshohet se aktivitetin e tij kriminal ky shtetas e ka zhvilluar në Angli. Në arrati mbetet ndërkohë nipi i Gjutës së vjetër, Baftjar Bruka, i cili është i shpallur në kërkim si autor i vendosjes së tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit. 

Top Channel