Dita Botërore e Refugjatëve, KE: Rrugë ligjore për të mos rrezikuar jetën

19/06/2015 00:00

Komisioni Europian është duke punuar për të hapur rrugë ligjore për refugjatët që duan të arrijnë Europën, pa qënë nevoja të rrezikojnë jetën e tyre. Kështu thuhet në deklaratën e KE-së, në kuadër të ditës ndërkombëtare të refugjatëve, më 20 qershor.

“Komisioni është duke punuar për të hapur kanale ligjore për njerëzit që duan të arrijnë Europën, pa qenë nevoja të rrezikojnë jetën nga skafistët apo anijet e shkatërruara. Ne u bëjmë thirrje shteteve anëtare të mbështesin rekomandimet e Komisionit, duke u angazhuar për një premtim të BE-së, për të rivendosur 20 mijë refugjatë nga jashtë Europës në dy vitet e ardhshme. T’u ofrosh ndihmë atyre që janë në nevojë, është një përgjegjësi globale. Kjo është dhe për lehtësimin e presionit tek partnerët tanë ndërkombëtare, si Libani, Jordania, apo Turqia, ku tashmë refugjatët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Frans Timmermans, zv. Presidenti i parë i KE-së, Federica Mogherini, shefja për politikë të jashtme, Neven Mimica, eurokomisioner për bashkëpunimin ndërkombëtar, Dimitri Avramopulos, eurokomisioneri për emigracionin dhe Christos Stylianides, eurokomisioneri për ndihmat ndërkombëtare.

Gjithashtu, në deklaratë thuhet se KE po siguron ndihma humanitare për refugjatët në 33 vende. Ky institucion ka financuar 200 milionë euro për vendet në zhvillim, të cilat presin valën e refugjatëve.

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Komisioni i bën thirrje liderëve në Europë të vazhdojnë me angazhimin e tyre me solidaritet të madh dhe të ndajnë përgjegjësitë mbi krizën e refugjatëve. Këto janë jetë njerëzore në rrezik, dhe Bashkimi Europian ka një detyrim moral dhe njerëzor të veprojë”, përfundon deklarata.

Top Channel