Basha: Qeveria po rrezikon standardet; Renditen incidentet gjatë fushatës

19/06/2015 00:00

Konferencën e tij për shtyp, kreu i Partisë Demokratike e nisi me një përkufizim për Edi Ramën dhe Ilir Metën, të cilët – sipas tij, – po zhbëjnë standardin demokratik të zgjedhjeve.

“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Janë thinjur që të dy, por të njëjtat manipulacione po vazhdojnë të bëjnë anembanë vendit”.

Për 20 minuta, Lulzim Basha përmendi raste konkrete të kërcënimit me armë të opozitës, të përkrahjes së kriminelëve nga policia dhe përfshirjen e saj në fushatë, blerjen e votës dhe përdorimit të administratës.

“Për Edi Ramën dhe Ilir Metën, këto nuk janë zgjedhje për pushtetin vendor, nuk janë për qytetarët, sepse për ta, më 21 qershor çfarë ka rëndësi është kapja e bregdetit, kapja e autostradës, si dhe territoreve e pronave të shqiptarëve, e jo shërbimi ndaj qytetarëve”, tha Basha.

Kreu i opozitës bëri edhe një akuzë të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama.

“Partia Demokratike zotëron të dhëna të pakundërshtueshme të kërcënimeve me telefon nga Edi Rama ndaj kandidatëve të këtyre zgjedhjeve, që të tërhiqen ose përndryshe do ta pësojnë, siç e pësojnë armiqtë e popullit në filmat e Kinostudios. Ky është citim nga Edi Rama dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë”, deklaroi Basha.

Gjatë konferencës, Basha nuk ia përmendi emrin kandiatit të kërcënuar, por më vonë, Partia Demokratike konfirmoi se, bëhej fjalë për kandidatin e pavarur të Vlorës, Vasil Bedinaj.

“Sot që flasim, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk janë të sigurtë për fitoren në asnjë bashki të vendit. Pse? Sepse çdo ditë që kalon, ata janë një pakicë që tkurret, përballë një shumice që rritet. Dhe kjo pakicë, kurrë nuk mund ta nënshtrojë këtë shumicë në demokraci dhe në një Shqipëri të lirë”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha tha se ishte i inkurajuar edhe nga deklarata e kryetarit të Komitetit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe zëvendëspresidentit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së. Ata thanë se “qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të kenë besim, se po marrin pjesë në një proces zgjedhor transparent, të lirë nga kërcënimi, ngacmimi, apo sulmet mbi kandidatët, mediet, zyrtarët e zgjedhjeve dhe votuesit. Por, që – siç thuhet në deklaratën e tyre, – për fat të keq, këto të gjitha janë fusha aktuale shqetësimi në Shqipëri”.

“Ne jemi shumica dhe do ta tregojmë këtë me vonë më 21 qershor. Populli është shumica, ndërsa oligarkia është pakica e nuk mund të bëhet kurrë shumicë, përveç se po e lamë ne. Dilni masivisht, procesi do të jetë i qetë, i qytetëruar, i kulturuar. Procesi do të jetë demokratik, këtë e garanton Partia Demokratike bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Oligarkia nuk iua prek dot votën. Votoni masivisht!”, bëri thirrje kreu i PD-së, Basha.

Por, a ka diçka që mund ta detyrojë Partinë Demokratike të tërhiqet gjatë procesit zgjedhor? Përgjigjja e Lulzim Bashës nuk kishte një “Jo” përfundimtare.

“Nuk ka asgjë, që të na detyrojë të lëmë fushën e betejës. Se çfarë përmasash dhe çfarë dinamike merr beteja, kjo sigurisht nuk është vetëm në duart tona. Ne urojmë që të jetë një përballje mes kundërshtarësh, ku sovrani të vendosë me votë. Në qoftë se njëri nga kundërshtarët, pala kundërshtare kërkon t’i ikë kësaj beteje, apo të shkatërrojë këtë fushë beteje të rregullave të barabarta, të qarta e kushtetuese, sigurisht që do të marrë atë që meriton”, tha më tej Basha.

Partia Demokratike duket se i ka mbështetur shumë shpresat edhe te partnerët e saj ndërkombëtarë, që – sipas kreut të opozitës, – nuk do të lejojnë instalimin në Shqipëri prej Edi Ramës dhe Ilir Metës të një regjimi si të Putinit.

“Ne kemi në krah Kongresin amerikan dhe standardet e tyre, jo Dumën e Putinit dhe standardet e tij. Prandaj ishin zbehur sot, iu kishte rënë tensioni dhe pulsi, sepse e kanë marrë paralajmërimin e parë. Sepse kjo rrugë në një vend i çon të gjithë dhunuesit e demokracisë. Kështu që edhe po e provuan këta, nuk do të riciklohen më, siç u ricikluan pas zullumeve që bënë në 2001-2003. Do të jetë fundi i tyre i sigurt. Ndaj të heqin dorë nga manipulimi i zgjedhjeve, t’i binden verdiktit të popullit dhe të heqin dorë nga çdo presion ndaj kandidatëve tanë, ndaj opozitës, apo qytetarëve”, theksoi në fund Basha.

Top Channel