Sllovenia liron Haradinajn, i kthen pasaportën. Kreu i AAK-së pritet të kthehet në Kosovë

19/06/2015 00:00

Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i është kthyer pasaporta pas dy ditësh qëndrimi në Lubjanë të Sllovenisë. Në një postim në Facebook, vetë Haradinaj njoftoi se janë kryer edhe zyrtarisht të gjitha procedurat e ndërlidhura me ndalesën në Slloveni.

“Në Kosovë pres të shkoj nga orët e vona të ditës së sotme, sapo të qartësohet orari i fluturimit. Mbetem i vendosur dhe i angazhuar në vazhdimin e detyrave dhe detyrimeve që na presin”, shkruan Haradinaj, në profilin e tij në Facebook. Ai falënderoi të gjithë ata, që – siç thotë, – kanë bashkëndjerë në këtë situatë të pakëndshme. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një komunikate, falënderon qytetarët për përkrahjen e dhënë gjatë këtyre ditëve.

Në një deklaratë, qeveria e Republikës së Kosovës përshëndeti vendimin e autoriteteve sllovene, për t’i dhënë fund procedurës për ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, tashmë deputet, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës thekson se, ndalimi i Haradinajt ka qenë i paarsyeshëm dhe i bazuar në fletarrestet e padrejta të Serbisë, sidomos kur kihet parasysh se Haradinaj e ka dëshmuar pafajësinë e tij në instancat më larta të drejtësisë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar mirëkuptimin e autoriteteve më të larta sllovene, për kërkesën e autoriteteve qeveritare të Kosovës mbi kthimin e Haradinajt në Kosovë, rithekson kërkesën, që Sllovenia të ndërmarrë të gjitha veprimet për të evituar përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.

Ramush Haradinaj u ndalua të mërkurën në Aeroportin e Lubjanës, teksa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2004, për krime lufte.

Gjatë këtyre ditëve, Haradinaj ka qëndruar me shoqëruesit e tij në një hotel në Lubjanë, në pritje të vendimit të gjykatës sllovene, e cila i konfiskoi pasaportën diplomatike. Ndalesa e Haradinajt bazuar në fletarrestin e Serbisë ka nxitur reagime të forta politike, përfshi edhe debate në Kuvendin e Kosovës, si dhe një rezolutë detyruese për qeverinë e Kosovës, që të reagojë kundër shtetit slloven.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës zhvilluan biseda telefonike me homologët e tyre në Slloveni, me kërkesën që rasti i Haradinajt të procedohej sa më shpejt. Autoritetet e rendit kanë regjistruar edhe disa incidente kundër bizneseve sllovene në Kosovë.

Vetë Haradinaj, në deklaratat e tij të para për këtë çështje, e quajti padrejtësi këtë që bënë autoritetet sllovene, pasi – siç tha ai, – bëhet fjalë për akuza për krime lufte, për të cilat ai vetë është gjykuar në Tribunalin e Hagës.

Top Channel