Grekët tërheqin paratë nga bankat; vetëm të enjten 1 miliard euro

19/06/2015 00:00

Në vigjiljen e samitit të jashtëzakonshëm të së hënës dhe pavarësisht optimizmit të kryeministrit grek Aleksis Tsipras, vetëm gjatë ditës së enjte grekët kanë tërhequr 1 miliardë euro nga bankat, ndërsa ritmi i zbrazjes së depozitave bankare sa vjen e përshpejtohet.

Në katër ditë llogaritet të jenë tërhequr gjithësej 3 miliardë euro, apo gati 2.2% e depozitave të familjeve dhe sipërmarrjeve të verifikuara në fund të prillit.

Burime nga bankat këmbëngulin megjithatë se nuk ka panik e as radhë të gjata njerëzish përpara institucioneve financiare, por bëhet fjalë vetëm për një lëvizje të qetë dhe graduale të depozitave.

Ky është një fenomen i lidhur me frikën që rrethon arritjen e një marrëveshjeje mes Athinës dhe kreditorëve, shtojnë ato. Vetë Banka Qendrore Greke nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë çështje.

Kreu i ekzekutivit, Tsipras ka tentuar të qetësojë situatën me pohimet se Grexit-i i famshëm nuk mund të jetë një opsion as për grekët, e as për vetë Bashkimin Europian.

“Do të ishte një proces pa kthim, do të shënonte fundin e Eurozonës, do të nënkuptonte dështimin e idesë europiane”, ka thënë Tsipras.

Programi i masave antikrizë i imponuar nga BE-ja dhe FMN-ja, që e ka detyruar popullin grek të bëjë sakrifica të mëdha, nuk e ka bërë vendin më konkurrues dhe as e ka reduktuar borxhin shtetërorë.

“Çdo gjë do të rishikohet”, ishin komentet e tij në intervistën dhënë një të përditshmjeje austriake.

Sipas BBC, BQE-ja do të zhvillojë një takim më vonë gjatë ditës, ku do të diskutohet mundësia e një asistence më të madhe likuiditeti për bankat në vështirësi.

Ndërsa agjencia e lajmeve Reuters jep një informacion sipas të cilit, pikërisht këtë fillimjave bankat greke do të mbylleshin, çka mund të ketë nxitur lëvizjen e parave.

Samiti i liderëve të Eurozonës të hënën mbahet pas dështimit të përpjekjeve më të fundit për zgjidhjen e krizës së borxhit grek.

Takimi i së enjtes nuk prodhoi asgjë të re, ndërsa shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselblorm do të pohonte në mbylljen e bisedimeve se, jo vetëm që nuk pati ndonjë progres të madh, por edhe nuk ka ndonjë mundësi marreveshjeje në horizont.

Nëse Athina nuk shlyen deri në fund të qershorit këstin prej 1.6 miliardë euro që i detyrohet FMN-së, sipas disa spekulimeve mediatike, ajo rrezikon daljen nga Eurozona e mbase edhe nga vetë Bashkimi Europian.

Top Channel