Haradinaj: I vendosur dhe i angazhuar në vazhdimin e detyrave që na presin

19/06/2015 00:00

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook, pas marrjes së pasaportës nga shteti slloven. “Mbetem i vendosur dhe i angazhuar në vazhdimin e detyrave dhe obligimeve që na presin”, shkruan ai.

“Sot zyrtarisht janë kryer të gjitha procedurat e ndërlidhura me ndalesën time në Slloveni. Në Kosovë pres të arrijë dikur vonë, sonte, posa të qartësohet orari i fluturimit. Mbetem i vendosur dhe i angazhuar në vazhdimin e detyrave dhe obligimeve që na presin. Shpreh falënderimin për të gjithë ata që kanë bashkëndjerë me këtë situatë të pakëndshme”, shkruan Haradinaj.

Gjatë këtyre ditëve, Haradinaj me shoqëruesit e tij ka qëndruar në një hotel në Lubjanë, në pritje të vendimit të gjykatës sllovene, e cila i konfiskoi pasaportën diplomatike.

Ndalesa e Haradinajt bazuar në fletë-arrestin e Serbisë nxiti reagime të forta politike, përfshirë dhe debate në Kuvendin e Kosovës, që miratoi një rezolutë detyruese për qeverinë që të reagonte kundër shtetit slloven.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës zhvilluan biseda telefonike me homologët e tyre në Slloveni, me kërkesën që rasti i Haradinajt të procedohej shpejt. Autoritetet e rendit regjistruan edhe disa incidente kundër bizneseve sllovene në Kosovë.

Ndërsa vetë Haradinaj, në deklaratat e tij të para për këtë çështje, e quajti padrejtësi këtë që autoritetet sllovene bënë, pasi, siç tha ai, bëhet fjalë për akuza për krime lufte për të cilat është gjykuar në Gjykatën e Hagës.

Top Channel