Basha, në Kamëz: 21 Qershori, shans për të ndihmuar shqiptarët

19/06/2015 00:00

Një ditë para heshtjes zgjedhore, Lulzim Basha u rikthye në Kamëz, nga u bëri thirrje qytetarëve të votojnë kundër asaj që e cilëson si alternativën e mijëra të papunëve dhe taksave të larta që po shkatërrojnë biznesin.

“A paguani më pak taksa se para dy vitesh, a keni më shumë vende pune se para dy vitesh, a paguani çmime më të ulëta se para dy vitesh, a paguani fatura të energjisë më të ulëta se para dy vitesh, a paguani më pak, a fitoni më shumë, a jetoni më mirë? Ky është realiteti që flet vetë, e thoni ju, e thotë Paskuqani, e thotë Tirana, e thotë Shqipëria dhe më 21 Qershor do ta thoni me votën tuaj. Me votën tuaj do t’i thoni ndal marrëzisë qeveritare që e ka futur ekonominë shqiptare në një krizë të thellë, ku mijëra vende pune shkatërrohen ditë për ditë prej bizneseve që mbyllen, prej taksave të larta e çmimeve të papërballueshme të naftës e energjisë elektrike”, deklaroi Basha.

Për Lulzim Bashën, 21 Qershori nuk është garë për pushtet politik, por një shans për të ndihmuar shqiptarët dhe shqiptaret në vështirësi.

“Vota për Xhelal Mziun është votë për të mbrojtur dinjitetin  tuaj, vota për Xhelal Mziun është votë për taksa të ulëta, për uljen e faturave, për dedikimin e fondeve të Kamzës, jo në projekte korruptive, për të mos lejuar banditët e Safet Gjicit t’ju terrorizojnë e t’ju grabisin, e t’ju vjedhin ju, bizneset dhe bankat, po për të punuar për ju, për tu ulur me ju dhe për të qarë hallet me ju e për t’ju drejtuar ju së bashku me mua drejt një beteje pa kthim, drejt fitores tonë, fitores së Kamzës, fitore të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Top Channel