Kreu i VV, Ymeri: Gjithnjë kemi qenë kundër Gjykatës Speciale

19/06/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se, subjekti që ai drejton do të ndërmarrë të gjitha veprimet demokratike për të parandaluar votimin për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës.

Në debatin “Fol Hapur” të Lëvizjes Fol, Ymeri tha se themelimi i kësaj gjykate është futje e një njësie paralele në sistemin gjyqësor të Kosovës, njëkohësisht krejt autonom dhe i pavarur nga ky sistem, e që përbën ndërhyrje në sovranitetin e shtetit.

“Ne e kundërshtojmë themelimin e kësaj Gjykate Speciale, këtë e kemi bërë disa herë të qartë. Kjo mënyrë e trajtimit të këtyre akuzave, – të cilat po ashtu rrjedhin nga akuza që vijnë nga Prokuroria e Serbisë, të përmbledhura pastaj në raportin e Dick Martyt dhe të sublimuar në raportin e prokurorit Ëilliamson, – janë si të padrejta, për shkak të tendencës për ta rishkruar ose riformuluar historinë e vonë, që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë; e në anën tjetër janë edhe të dëmshme, për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

Lideri i VV-së shtoi se, Kosova dhe qytetarët e saj, asnjëherë nuk duhet t’i thonë jo drejtësisë, por duhet njëherë e përgjithmonë të vendosin të bëjnë një sistem  vendor gjyqësie, i cili të jetë funksional, i unifikuar dhe i pavarur.

Kreu i Vetëvendosjes ka folur edhe për ndalimin e udhëheqësit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Slloveni, duke thënë se është i padrejtë dhe i dëmshëm për shtetin e Kosovës.

“Ne konsiderojmë që kjo është si e padrejtë, edhe e dëmshme për shtetin e Kosovës. Pra, të gjitha këto ndalesa, që u janë bërë qytetarëve të Republikës së Kosovës nga aktakuzat e Serbisë, të cilat natyrisht që janë dashakeqe dhe të fabrikuara, do të duhej njëherë e përgjithmonë të ndaleshin. Këtu, rol parësor do të duhej të kishin institucionet e Republikës së Kosovës, e veçanërisht ekzekutivi. Është po ky ekzekutiv, është po kjo politikë, të cilët vazhdimisht e kanë ndjekur rrugën e nënshtrimit politik karshi Serbisë dhe asnjëherë nuk janë kujdesur, që ta shndërrojnë Kosovën në një Republikë të dinjitetshme, veçanërisht karshi Serbisë, duke pasur parasysh qëndrimin e saj karshi Kosovës”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

Ymeri foli edhe për punën e ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, për të cilin tha se puna e tij e deritanishme është “po aq e suksesshme, sa ka qenë edhe puna e tij si kryeministër”. Ai kritikoi gjithashtu Qeverinë e Isa Mustafës, duke thënë se nuk ka plan zhvillimor.

Ndërsa, i pyetur për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve më herët nga afati ligjor, Ymeri tha se janë të gatshëm kurdo që ato organizohen, duke shtuar se, pavarësisht kur organizohen ato, Vetëvendosje do të hyjë e vetme në garë.

Top Channel