Keqpërdorime të rënda të institucioneve dhe funksionarë të lartë shtetërorë të korruptuar në Maqedoni. Ky është konstatimi i raportit të përgatitur nga grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, për përgjimet e publikuara nga ana e udhëheqësit të opozitës, Zoran Zaev.

Mediet maqedonase, përmes burimeve diplomatike, kanë siguruar dhe kanë publikuar pjesë të këtij raporti, i cili ka të bëjë me analizat e ekspertëve evropianë ndaj punës së Drejtorisë për Sigurinë Kombëtare, Gjyqësorit, Avokatit të Popullit, zgjedhjeve dhe medieve në Maqedoni.

Sipas asaj që thuhet në këtë raport, policia sekrete ka vepruar jashtë autorizimeve të saj në dobi të pushtetit, për t’i kontrolluar përfaqësuesit më të lartë të administratës publike, prokurorët, gjykatësit dhe kundërshtarët politikë.

Regjistrimet e materialeve të përgjuara janë me kualitet, sasi dhe përfshirje, që parimisht të bëjnë të besosh se janë bërë në Shërbimet e Zbulimit.

Afera zbuloi shkeljen e të drejtave fundamentale, duke përfshirë edhe ato të lirisë së pjesëmarrjes në jetën publike dhe lirinë e votimit, qasjen e njëjtë deri te të mirat publike, të drejtën e privatësisë dhe të drejtën e pavarësisë gjyqësore, e më gjerë, të drejtën e qasjes deri te drejtësia.

Korrupsioni është problemi më serioz, me të cilin po përballet vendi, madje meriton edhe një raport të veçantë si problem, duke marrë parasysh faktin se, korrupsioni politik është i pranishëm në më shumë nivele, thuhet në këtë raport.

Ky raport është punuar gjatë dy muajve të fundit, me porosi të Komisionit Evropian.

Top Channel