Bill Gates po punon për një kontraceptiv të përhershëm

19/06/2015 00:00

Fondacioni “Bill & Melinda Gates” ka vendosur në dispozicion të studiuesve të Universitetit Shkencor të Shëndetit në Oregon, një shumë prej 5 milionë dollarësh për të zhvilluar një kontraceptiv të përhershëm.

Objektivi është ndërtimi i një pilule të vetme efikase dhe të sigurtë për të ndihmuar të gjitha nënat që nuk duan më fëmijë, por edhe femrat që duan të shmangin shtatzëninë.

Fondacioni “Gates” është shumë aktiv në këtë sektor. Vitin e kaluar dhuroi 6.7 milionë dollarë për kompaninë teknologjike “MicroChips” për një punë kërkimore po në këtë fushë.

Pavarësisht se objektivi është që t’u vihet në ndihmë të gjitha femrave që nuk dëshirojnë të zgjerojnë më tej familjen e tyre, por nga ana tjetër as të heqin dorë prej aktivitetit seksual, nisma ka kundërshtarët e saj.

Aktivistët kritikojnë nismën dhe i druhen se një kontraceptiv i përhershëm me kalimin e kohës do të mund të përcaktonte se kush do të mund të riprodhohej dhe kush jo.

Këtyre pretendimeve u është kundërvënë udhëheqësi i studimit, Jeffrey Jensen. Ai sjell një shembull nga Uganda, ku 50 për qind e nënave nuk dëshirojnë një tjetër fëmijë, por vetëm 2 për qind e tyre mund të përballojnë metodat aktuale dhe të përhershme të shmangies së shtatzënisë.

“Synimi ynë është i thjeshtë; të bëjmë të mundur që çdo shtatzëni të jetë e planifikuar dhe fort e dëshiruar”, thotë ai.

Top Channel