Banka Qendrore Europian ra dakord të ndihmojë me një fond emergjence për rritjen e likuiditetit për bankat greke në vështirësi nga zbrazja masive e llogarive bankare.

Vendimi i marrë këtë të premte mbërrin pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje mes Athinës dhe vendeve të Eurogrupit gjatë takimit të ministrave të Financave në Luksemburg, mbrëmjen e së enjtes.

Pas këtij hapi të BQE-së, bankat greke të nivelit të dytë mund të tërheqin fonde shtesë nga fondi i emergjencave. Ajo që mbetet e paqartë është nëse Greqia ka shfrytëzuar të gjithë shumën prej 3.5 miliardë euro, që është shuma e përcaktuar për këtë vend në bazë të Programit Emergjent për Asistencën e Likuiditetit, apo ka marrë një sasi të kufizuar, të mjaftueshme deri për të hënën.

Të hënën do të mblidhen udhëheqësit e Bashkimit Europian në një takim të jashtëzakonshëm të thërritur pas dështimit të bisedimeve mes Greqisë dhe huadhënësve të saj. Samiti normal ishte parashikuar tri ditë më vonë, por hemoragjia në sistemin bankar grek ka përshpejtuar takimin.

Drejtuesit e Bankës Qendrore Europiane paralajmëruan se të hënën bankat greke mund të mos hapen. I pyetur nga gazetarët, një zyrtar i lartë i BQE-së tha se nuk ishte i sigurtë nëse bankat greke do të hapeshin apo jo të hënën, ndërsa ritmi i zbrazjes së depozitave sa vjen e përshpejtohet.

Në katër ditë llogaritet të jenë tërhequr gjithësej 3 miliardë euro, apo gati 2.2% e depozitave të familjeve dhe sipërmarrjeve të verifikuara në fund të prillit. Burime nga bankat këmbëngulin megjithatë se nuk ka panik e as radhë të gjata njerëzish përpara institucioneve financiare, por bëhet fjalë vetëm për një lëvizje të qetë dhe graduale të depozitave.

Ky është një fenomen i lidhur me frikën që rrethon arritjen e një marrëveshjeje mes Athinës dhe kreditorëve, shtojnë ato. Vetë Banka Qendrore Greke nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë çështje.

Kreu i ekzekutivit grek, Aleksis Tsipras ka tentuar të qetësojë situatën me pohimet se Grexit-i i famshëm nuk mund të jetë një opsion as për grekët, e as për vetë Bashkimin Europian.

“Do të ishte një proces pa kthim, do të shënonte fundin e Eurozonës, do të nënkuptonte dështimin e idesë europiane”, ka thënë Tsipras.

Top Channel