Masakra e Charlestonit, ngrihen 9 akuza ndaj të dyshuarit. Rrezikon dënimin me vdekje

19/06/2015 00:00

21-vjeçari i arrestuar të enjten, i dyshuar për vrasjen e 9 përsonave në një prej kishave më të njohura të njerëzve me ngjyrë në Karolinën Jugore, është njohur zyrtarisht me aktakuzën këtë të premte. Mbi të rëndojnë plot 9 akuza për vrasje dhe posedim të armëve të zjarrit gjatë kryerjes së një krimi të dhunshëm, bëri të ditur policia, akuza këto që mund të çojnë deri në dënimin me vdekje ndaj tij.

Departamenti i Policisë së Charlestonit njoftoi akuzat vetëm pak orë përpara se i dyshuari, Dylann Storm Roof, – një i bardhë i cili u rikthye në Charleston i shoqëruar nga garda mesnatën mes së enjtes dhe të premtes pas arrestimit të tij në Karolinën Veriore, – të dalë përpara një jurie pasditen e së premtes për një seancë të parë dëgjimore, ku atij do t’i bëhen të ditura akuzat e ngritura kundër tij.

Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki R. Haley, bëri thirrje këtë të premte që Dylann Roof të dënohet me dënimin me vdekje. “Ky është një shtet i lënduar prej faktit, që 9 të pafajshëm janë vrarë”, tha Haley, duke shtuar më tej se shteti i qeverisur prej saj “absolutisht do të dëshironte që ai të dënohej me dënimin kapital”.

Guvernatorja e përshkroi masakrën e së mërkurës si një “krim absolutisht prej urrejtjes”. “Ky është rasti më i egër i urrejtjes që kam parë ndonjëherë unë, por mbase edhe vendi ynë, prej një kohe tepër të gjatë”, tha ajo. “Ne do të luftojmë ndaj këtij fenomeni dhe do ta bëjmë këtë me të gjitha forcat e mundshme”.

Greg Mullen, shefi i policisë së Charlestonit e konsideroi gjithashtu këtë krim për shkak të urrejtjes, ndërsa kryeprokurorja e përgjithshme Loretta Lynch tha se Departamenti amerikan i Drejtësisë do ta hetojë edhe këtë mundësi, pra që krimi të jetë kryer për shkak të urrejtjes.

Top Channel