Takimet e fundit të Veliajt, thirrje për pjesëmarrje masive: Ta ndryshojmë Tiranën

19/06/2015 00:00

Ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ua rezervoi takimeve me banorë dhe mbështetës në disa njësi të kryeqytetit, nga ku ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 21 Qershorit, si mundësia e vetme për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.

Veliaj i falënderoi të gjithë për punën e bërë gjatë këtyre ditëve, si dhe shprehu sigurinë për një fitore të madhe ditën e diel.

“Dua t’iu falënderoj me gjithë zemër për punën e bërë këto ditë. Nuk ka asnjë dyshim që po drejtohemi drejt fitores. I gjithë sekreti është sesa do i nxjerrim njerëzit në votime. Kam një merak të veçantë për ata që janë të rinj, sidomos për ata që janë votues për herë të parë. Është shumë e rëndësishme t’i identifikojmë kush janë votuesit për herë të parë dhe t’i ftojmë ata. Në qoftë se të tjerët e kanë mësuar dhe dinë sesi votohet, për votuesit që e kanë për herë të parë është shumë e rëndësishme. Ndaj do të doja shumë që FRESSH të fokusohej në këtë aspekt. I gjithë sekreti i fitores është sesa veta do të dalin në votime. Votat i kemi, opinioni publik është totalisht pro nesh, të gjitha sondazhet na nxjerrin fitues. Jemi partia më e madhe dhe garën e vetme e kemi me veten tonë”, u shpreh kandidati i ASHE-së për Tiranën, Erion Veliaj.

“Na duhet një njeri energjik, që u jep drejtim punëve të Tiranës. Unë besoj se Erion Veliaj, bashkë me ne dhe bashkë me ju, ka për të bërë më të mirën edhe për këtë zonë. Por, që të arrijmë deri atje, në datën 21 duhet të marrim një fitore që na nxjerr edhe më të fortë, të gjithëve. Kështu që flisni me këdo mundeni dhe këto pak orë që kanë mbetur bëni punë maksimale, për t’i dhënë drejtimin e duhur edhe kësaj zone”, deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që shoqëronte kandidatin Veliaj në këto takime.

Top Channel