Vuçiç: Arrestimi i Haradinajt, provokim. Prapa fshihen fuqitë e mëdha

19/06/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sërish e ka quajtur arrestimin e Ramush Haradinajt si një provokim, duke iu referuar faktit se për të janë lëshuar fletë-arreste nga Serbia dhe Mali i Zi.

Por, sipas tij, dikush që dëshiron destabilitet në rajon, jo rastësisht është duke kryer veprime që nuk i bëjnë mirë rajonit. Në një komunikim me mediat, ai u është përgjigjur pyetjeve ende pa përfunduar.

“Ai njeri ka udhëtuar 70 herë nëpër Europë dhe janë kujtuar ta arrestojnë tre ditë para bisedimeve”, ka thënë Vuçiç.

Kush është kundër jush?

“Nuk më pëlqen të flas për teori konspiracioni. Por, e kam më të lehtë të flas kundër ideve të disa fuqive të mëdha dhe më lehtë grindem me ta se sa kur bëhet fjalë për rajonin. Nga unë nuk keni dëgjuar kurrë asgjë të keqe as për zotin Izetbegovic të Bosnjës, as s’do them gjë të keqe për Ramën, as për Milanoviç, as për Gjukanoviç, as për Gruevskin, pasi politika jonë është ndërtimi i marrëdhënieve më të mira me fqinjët tanë”, është përgjigjur ai.

Vuçiç i ka bërë këto deklarata në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku ka folur edhe për problem të tjera.

Në kohën kur Serbia është vënë nën vëzhgim sa i përket 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, Vuçiç ka thënë se, nëse për boshnjakët kjo nuk paraqet ngarkesë emocionale, ai është i gatshëm të përulet para viktimave myslimane në Bosnje, duke e quajtur disa herë këtë ngjarje si tragjike.

Top Channel