Tiranë, qendër e re shëndetësore për banorët e “Komunës së Parisit”

19/06/2015 00:00

Rreth 10 mijë banorë të “Komunës së Parisit” në kryeqytet, tanimë do të marrin shërbim shëndetësor parësor panë zonës së tyre.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka përuruar hapjen e qendrës së re shëndetësore, e cila është në varësi të Qendrës me numër 8, me qëllim shkurtimin e distancave dhe rritjen e aksesit në shëndetësi, sidomos për kontrollet e përgjithshme “check-up”.

“Sot po hapim këtë pikë të re në zonën e Komunës së Parisit, ku gjendet edhe kabineti i kontrollit të përgjithshëm edhe kjo pikë shëndetësore. Mesa duket, është e domosdoshme që brenda muajve të verës do të fillojmë të kemi këtu edhe Shërbimin e Pediatrisë, sepse praktikisht ka kërkesë dhe ngarkesë. Vazhdojmë të jemi edhe më shumë të pranishëm në territor dhe jemi të angazhuar për të reformuar radikalisht sidomos shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor. Pra, ofrojmë mbulim universal me kontrollin shëndetësor bazë, pa pagesë, por po përpiqemi që këtë ta shoqërojmë edhe me aksesin universal, në mënyrë që distancat gjeografike të mos kthehen pastaj në pengesa apo pamundësi për të marrë kujdesin shëndetësor”, u shpreh Beqaj.

Ndërkohë, procesi i kontrollit të përgjithshëm “check-up” në të gjithë vendin është duke shkuar mirë, pasi raportohet se ka interes të qytetarëve për të kryer kontrollin shëndetësor bazë, aq më tepër kur ky shërbim ofrohet falas.

Top Channel