ASHE mbyll fushatën në Kamëz, Rama: Xhelali, e shkuara

19/06/2015 00:00

Në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Kamëz, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’u drejtohet mbështetësve në shesh me një mesazh më të shkurtër se herët e tjera.

“Zgjedhja e 21 Qershorit është një zgjedhje shumë e qartë. Është një zgjedhje mes dikujt që ka 12 vjet që e drejton Bashkinë e Kamzës dhe që e nisi si njëri nga ju dhe e përfundoi si njeri i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për vjedhje të parave tuaja, dhe një njeriu tjetër që e nisi si një nga ju, dhe bëri sukses në rrugën e sipërmarrjes, në sport, në drejtimin e një institucioni dhe kthehet këtu jo për të marrë, por për të dhënë, jo të rrëmbyer, por për të shërbyer. Zgjedhja mes këtyre dy mundësive është një zgjedhje shumë e qartë. Kush zgjedhe Xhelalin zgjedh të shkuarën, kush zgjedh Safetin, zgjedh të ardhmen. Kush zgjedh Xhelalin zgjedh vazhdimin në rrugën e gabuar, kush zgjedh Safetin zgjedh drejtimin e duhur për Kamzën”, tha Rama.

Kryeministri bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime.

“Besoj se është koha që të gjithë ata të cilët kanë të drejtë vote në Kamëz, pjesëtarë të çdo familjeje, të shkojnë të votojnë në 21 Qershor, jo thjeshtë për partinë që ata duan, por për fëmijët e tyre që u detyrohen një votim të përgjegjshëm, të arsyeshëm dhe në drejtimin e duhur”, deklaroi Rama.

Kryeministri mbylli fjalën e tij me zotimin se “sa më i madh të jetë besimi i dhënë nga qytetarët për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, aq më shumë do të punohet për ta merituar këtë besim”.

Top Channel