Danimarkë, partia “xhol” vendos kusht referendumin ndaj BE-së. Valë euroskepticizmi si në Britani

19/06/2015 00:00

Vala e euroskepticizmit e përhapur në mbarë Europën, mbërriti këtë të premte edhe në Danimarkë, teksa partia e cilësuar si “xhol” në formimin e qeverisë së ardhshme ka vendosur kërkesën për një referendum danez mbi anëtarësimin në BE, si kusht kryesor për bashkimin në koalicionin qeveritar.

Partia Popullore Daneze (DF) rezultoi të ishte partia më e madhe në bllokun e qendrës së djathtë, pas zgjedhjeve parlamentare të së enjtes, kur votuesit vendosën të largonin koalicionin e qendrës së majtë.

Thirrjet e DF-së për më pak emigrantë, më shumë shpenzime dhe për reformim të BE-së rezonuan me më shumë se 20% të votuesve, ndërsa njëri prej zv.kryetarëve të partisë, Soren Espersen, tha për “Reuters”se këto kërkesa përbëjnë “vijën e kuqe” përtej së cilës nuk do të mund të kalonte kjo parti.

DF, një parti e cila nuk ka mbajtur kurrë ndonjë post qeveritar në historinë e saj 20-vjeçare, tashmë do të duhet të vendosë nëse do të futet në koalicion qeverisës me liberalët e ish-kryeministrit Lars Lokke Rasmussen, i cili me të gjitha gjasat do të rimarrë postin e kryeministrit.

“Duhet të konsiderojmë se në ç’mënyrë do të mund të kemi më shumë influenc”, tha udhëheqësi i partisë, Kristian Thulesen Dahl, i cili u duk i kënaqur që Rasmussen do të kryesojë bisedimet për formimin e një qeverie, që do të pasojë atë të larguarën e kryeministres së qendrës së majtë, Helle Thorning-Schmidt.

Pas numërimit të votave, rezulton se qendra e djathtë ka fituar 90 poste, kundrejt 85 të bllokut të majtë të Thorning-Schmidt, në Parlamentin danez. “Ne jemi thuajse të gëzuar edhe që jemi jashtë qeverisë. Do të jetë në dorë të Rasmussenit, nëse dëshiron të ketë një rrugëtim të lehtë apo jo”, shtoi Espersen.

Top Channel