Kavajë, Rama: Roshi nuk ka asnjë mister. I dëbuar si klandestin, si mijëra shqiptarë të tjerë

19/06/2015 00:00

“Në Kavajë nuk ka nevojë të flasësh shumë. Mjafton të kesh sytë në ballë për të kuptuar gjithçka për të mos pasur as më të voglin dyshim se nga është drejtimi i duhur”.

ASHE mbylli fushatën elektorale në Kavajë, ku kryeministri Edi Rama kërkoi votën për Elvis Roshin, ndaj të cilit pak ditë më parë, Lulzim Basha hodhi akuza për përfshirje të tij në aktivitete kriminale në Itali.

“Më thanë që ka ardhur Luli këtu dhe ka bërë pyetjen si e quajnë Elvis apo Ervin Roshi. Unë kam një pyetje tjetër, si e quajnë kryetarin e PD, Sali apo Lul, se sa i përket kryetarit të bashkisë këtu, e quajnë Ervin apo Elvis, unë them që e quajnë qytetarin e parë të Kavajës”, u përgjigj Rama.

Kreu i mazhorancës dha shpjegimin e tij mbi akuzat që qarkullojnë ndaj Elvis Roshit.

“Vini ka qenë 15 vjeç, kur bashkë me shumë 15-vjeçarë, e me shumë të rinj, që e braktisën Kavajën në momentin kur u hapën kufijtë dhe ikën së bashku me mijëra shqiptarë për të kërkuar rrugën e vështirë për një jetë më të mirë. Nuk ka asnjë mister në emrin e tij. Ashtu si mijëra të tjerë, që në vitet e vështira të emigrimit trajtoheshin si mos më keq dhe dëboheshin si emigrantë të paligjshëm, edhe ai ka qenë i dëbuar. Ajo që ka sot rëndësi është se, sot ai është i nderuar”, deklaroi Rama.

Sipas Ramës, Roshi mori në dorë një nga bashkitë më të rrënuara të vendit dhe në 4 vite e transformoi në një realitet tjetër, duke e bërë sot Kavajën një nga qytetet më të mirëndriçuara në Shqipëri.

“Mos harroni që 4 vitet ishin shumë të vështira, se në vend që ta mbështeste dhe t’i hapte rrugë projektit të tij, Saliu e izoloi Kavajën dhe e tradhëtoi dhe e trajtoi njësoj si gjithë bashkitë e drejtuara nga socialistët, deri me 23 qershor”, u shpreh ai.

Rama premtoi furnizimin me ujë të pijshëm dhe ngritjen e rrjetit të kanalizimeve, si për vaditje ashtu edhe për kullimin e tokave bujqësore.

Memoriali hequr nga sheshi qendror i qytetit, që për PD ishte simbol i antikomunizmit, është një tjetër “mollësh sherri” mes palëve.

“Ishte një memorial i padenjë, një shëmtirë e artit komunist. Heqja e tij nuk ishte shkulja nga zemra e Kavajës e asaj kujtese historike për Kavajën, por ishte kthimi i dinjitetit të asaj kujtese përmes një memoriali të realizuar nga një skulptor i madh shqiptar, nga një emër i famshëm sot në Europë, një qytetar i Durrësit”, u shpreh Rama.

“Votoni shqip jo SHQUP, shtoi Rama, duke u shprehur se Kavaja misteri i vetëm i Kavajës është se në dorë të kujt ka ngelur PD, në dorë të Saliut apo të Lulit”.

Top Channel