Mbyllja e fushatës së ASHE, Rama: Dështimin epokal na e paraqisnin si sukses historik

19/06/2015 00:00

Partia Socialiste e mbylli fushatën zgjedhore të Lokaleve 2015 në Durrës, në qytetin bregdetar nga ku u bë thirrje jo vetëm për mbështetjen e kryetarit aktual të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, por edhe për mbështetje ndaj të gjithë kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane në mbarë vendin, në 61 bashkitë e reja sipas reformës së re administrativo-territoriale.

Kryetari i Partisë Socialiste e njëherazi edhe kryeministër i vendit, në fjalën e mbajtur përpara mbështetësve, simpatizantëve të PS-së apo edhe të së majtës në përgjithësi, theksoi edhe njëherë atë çka gjeti pas ardhjes në pushtet më 23 qershor të 2013-s, si dhe atë që është bërë deri më sot, në këto 18 muaj qeverisjeje të së majtës.

“Vangjushi kishte nisur me kursimet e pakta të buxhetit të Bashkisë që kishim deri më sot për të nisur punimet e rëndësishme që do t’i hapnin rrugët e frymëmarrjes qytetit të Durrësit, ndërkohë që Saliu e pengonte dhe e bllokonte gjithandej, me të gjitha mënyrat e mundshme. Pavarësisht se demokratët votonin PD-në, ishin viktima bllokues si të gjithë të tjerët nëpër Shqipëri, sepse kishin fatkeqësinë të jetonin në kështjellat e rrënuara dhe të bllokuara. Të gjithë ne kemi qenë viktima të një pushteti bllokues, sakat në zemër dhe bosh në kokë, që ikte e vinte nga Aeroporti i Rinasit, dhe nuk i bënte aspak përshtypje gjithë rruga e mbushur me plehra e mbeturina anash. Ishin mësuar me mbeturina e batërdi, por ishte edhe më shumë se kaq. Ishte një pushtet që krenohej me riparime pa asnjë shije të re që zhvillohej duke u rrënuar, të një Shqipërie që hante veten duke menduar se po zhvillohej përpara. Kemi humbur kohë të arta mundësish për ta zhvilluar qytetin shqiptar në drejtimin e duhur, duke nisur nga qendra drejt periferive, por sërish, edhe pse u gjendëm përballë një rrëmuje të paimagjinueshme, nuk na ndalën dot të bënim diçka të mirë me sa mundemi në këto 18 muaj. Ata zhdukën pyjet dhe masakruan pyjet e lumenjtë përgjatë bregdetit, në rrugën nga Durrësi deri në Kavajë, ku gjithçka është pushtuar nga pallate gjigante e të stërmëdha. Sepse i gjithë ky dështim epokal që do të shënohet në historinë e Shqipërisë si një histori marrëzie, atyre u dukej si një sukses historik”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij.

Në këtë miting përmbyllës, sigurisht nuk mungoi as aleati më i madh i koalicionit qeveritar ASHE, kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili pasi bëri thirrje për mbështetjen e Dakos më 21 qershor, vuri theksin edhe tek ajo që e quajti “tallje të Bashës me përkrahësit e Partisë Republikane në Durrës”, sipas citimeve të Fatmir Mediut, duke mos kandiduar Dukën për Bashkinë e Durrësit.

“Gëzuar këtë fitore të jashtëzakonshme të Vangjush Dakos dhe të ASHE më 21 qershor. Edhe pak orë kanë mbetur për fundin e fushatës, qytetare e europiane, të ASHE anembanë vendit. Jam i sigurt se populli i bashkisë së re të Durrësit do të jetë në krye të fitores së aleancës sonë më 21 qershor. I ftoj anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë mbështetësit e LSI-së që në radhë të parë të shkojnë për numrin 1, Vangjush Dakon, e më pas edhe për numrin 47. Të jeni të sigurt që Vangjushi nuk do të marrë vetëm votat e partive të aleancës, por fitorja e tij do të jetë edhe më e madhe, sepse ai do të marrë edhe votat e Republikanëve, të cilët do të hakmerren për talljen e Lulushit, siç tha edhe vetë Fatmir Mediu, përpara nisjes së fushatës. Të trembur nga ky vullnet mbarëpopullor dhe kjo tolerancë e jashtëzakonshme, që kemi treguar si asnjëherë tjetër, kërkojnë të njollosin standardet e këtyre zgjedhjeve. Nuk e bëjnë dot të dalin e të thonë dilni e votoni, të fitojë kush të fitojë. Nuk e bëjnë dot këtë, sepse i gjithë populli i ka parë zhvillimet e fundit të të gjithë qyteteve në këto 18 muaj të qeverisjes së majtë. Prandaj të shkojmë të votojmë me qetësi dhe dashuri për Vangjush Dakon dhe ASHE-në, e në datën 22 të gjithë të fillojmë punë në të gjithë vendin, për të punuar së bashku për të çrrënjosur varfërinë përmes rritjes së punësimit”, tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në fjalën përshëndetëse të mitingut përmbyllës të PS-së në Durrës.

Top Channel