Lezhë, qëllohet me armë në ajër pas një takimi të deputetes Kryemadhi

19/06/2015 00:00

Një incident elektoral është shënuar gjatë së premtes në fshatin Rrilë në Lezhë, ku janë dëgjuar të shtëna me armë pas një takimi të deputetes Monika Kryemadhi.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga Kryeministri Rama, i cili në Top Story tha se komunikoi menjëherë me deputeten, e cila i kishte folur për ngjarjen.

“Unë fola me Monikën dhe me konfirmoi ngjarjen. Ajo ishte në një familje demokratësh dhe me të ka qenë edhe vajza e madhe. Pas takimit ka dalë makina e deputetit Aldo Bumçi prej së cilës kanë dalë njerëz që kanë qëlluar me armë në ajër, sipas tregimit të Monikës”, tha Rama në Top Story.

Rama e cilësoi si skandaloze që në makinën e deputetit të udhëtojnë persona të armatosur.

Fatmirësisht nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjes dhe ka bërë të ditur se ka identifikuar autorin e ngjarjes.

Top Channel