Heshtje zgjedhore, të dielën shqiptarët u drejtohen kutive të votimit

20/06/2015 00:00

Prej mesnatës vendi ka hyrë në heshtje zgjedhore. Asnjë subjekt politik apo kandidat i këtyre zgjedhjeve nuk lejohet të bëjë propagandë elektorale.

Është dita kur ligji ia ka lënë zgjedhësve si kohë për reflektim për kë do të votojnë.

Këto janë zgjedhjet e disata në radhë për pushtetin vendor pas rënies së diktaturës, por janë të parat me një ndarje të re territoriale.

Si pasojë, nga rreth 400 njësi vendore, gara këtë herë bëhet vetëm për 61 bashki, të rritura në territor dhe numër zgjedhësish.
Për drejtuesit e rinj të njësive të reja, kanë të drejtën të shprehen me votë 3 milionë e 370 mijë e 206 zgjedhës.

Në garë janë 63 parti politike. Shumica prej tyre të grupuara në dy koalicionet më të mëdha: Aleanca për Shqipërinë Europiane, kryesuar nga PS, e cila ka në përbërje 37 forca politike dhe Aleanca për Punë dhe Dinjitet, drejtuar nga PD me 15 subjekte zgjedhore në të.

11 parti garojnë më vete jashtë koalicioneve të mëdha. Në garë për 61 bashki janë 158 kandidatë.

Risi e këtyre zgjedhjeve janë gjithashtu një numër jo i vogël i kandidatëve të pavarur, 36 të tillë. Numrin më të lartë të kandidatëve në këto zgjedhje e ka Tirana me 6 të tillë, paradoksalisht edhe Memaliaj, me po këtë numër kandidatësh në garë.

Risi janë gjithashtu kandidatet femra. 16 të tilla, mbështeten nga partitë e mëdha, për karrigen e kryetarit të bashkisë. Spikat Shkodra, me të dyja kandidatet në garë femra.

Risi e kësaj gare zgjedhore gjithashtu janë numri i barabartë i meshkujve dhe femrave që do të ulen në karriget e këshilltarëve bashkiakë.

Rreth 41 mijë komisionerë, është trupa që do të administrojë këto zgjedhje në terren, si anëtare të ZAZ-ve, qendrave të votimit apo numërimit të votave.

6699 janë forcat policore të vendosura në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.

Gara elektorale e së dielës monitorohet nga rreth 3 mijë vëzhgues. Numrin më të lartë të vëzhguesve ndërkombëtarë, e ka ODIHR me 274 vëzhgues, misioni që do të hartojë edhe raportin përfundimtar dhe do të vendosë notën zyrtare për standardet e këtyre zgjedhjeve.

Ambasadat perëndimore, ajo e SHBA dhe ambasadat e vendeve fqinje gjithashtu kanë akredituar vëzhgues në garën që nis me hapjen e qendrave të votimit në orën shtatë të mëngjesit të së dielës.

Ashtu si edhe në proceset e tjera zgjedhore, vlerësimi nga ndërkombëtarët për 21 Qershorin, është gjithashtu një nga kriteret e forta për Shqipërinë që do të mbahet parasysh në Bruksel për kërkesën për hapjen e negociatave.

Top Channel