Kampioni kosovar në radhët e ISIS. Familjarët e Valdet Gashit: E dinim se ishte në Tajlandë

20/06/2015 00:00

Valdet Gashi më parë ka qenë në ring kikboksi dhe Mai Tai duke u duartrokitur për fitoret, por tani ai jeton në Shtetin Islamik. Sportisti, jo pak i suksesshëm me origjinë shqiptare nga Kosova, ka qenë kampion bote dy herë në Mai Tai dhe përfaqësues i Gjermanisë në kikboks.

Ai ka konfirmuar me telefon se ka pranuar ideologjinë e organizimit që shqetëson gjithë botën. Nuk dihet nëse është i përfshirë në luftime, por familja e tij beson se Gashi ka shkuar për të ndihmuar. Enveri, i ati i tij, beson dhe shpreson se i biri nuk do të bëjë asgjë të keqe.

“Valdeti na bëri të qartë se misioni i tij është që t’ju ndihmojë njerëzve, kjo do të thotë se nuk është i përfshirë në luftërat e ndyra të cilat po shkaktojnë dhimbje të mëdha te njerëzit. Ka qenë një tronditje e madhe për ne, mirëpo jam shumë i bindur që Valdeti, si sportist i madh, si sportist i njohur, nuk do të lejojë të ndyjë duart e veta, duke mbrojtur gjëra të cilat nuk i përkasin as atij, as familjes”, është shprehur i ati, Enver Gashi.

Vëllai i tij, Valon Gashi thotë se i mungon Valdeti, por nuk beson se do ta turpërojë familjen.

“Vëllai im është një njeri që e duan të gjithë. Ai asnjëherë nuk ka bërë gjëra të këqija, por gjithmonë është përpjekur për të ndihmuar të tjerët”, ka deklaruar Valoni.

Gashi thuhet se i është bashkuar ISIS në janar të këtij viti, por familja besonte se ishte në Tajlandë. Pavarësisht se besojnë që është i pafajshëm, brengat e të atit nuk janë Siria, por kthimi i tij. Valdeti është i martuar dhe ka dy fëmijë.

“Dua që sa më parë të kthehet te familja, ka bashkëshorten, dy vajza të bukura, vëllezërit, nënën dhe babain. Ai e ka vendin këtu, pranë nesh”, ka shtuar i Valdetit, Enveri.

Valdet Gashi ka një fëmijë që ka lindur vetëm disa muaj para largimit të tij, por ky nuk është rasti i vetëm. Georg Haesle është gazetar i emisionit “Rundchau” në Zyrih dhe ai ka investiguar shumë raste të ngjashme të fëmijëve të diasporës ballkanase që janë radikalizuar.

Shumë prej tyre kanë ikur nga Gjermania dhe Zvicra duke lënë familjet në një dramë të vërtetë.
“Kemi të bëjmë me një fenomen social këtu në diasporë, nuk është ky rasti i vetëm, por Valdet Gashi, si shumë të tjerë në kërkim të një identiteti, janë peng i një ideologjie totalitare. Këtu nuk kemi të bëjmë me islamin apo religjionin, por me një kundërshtim të stilit europian të jetesës. Familja e Valdetit ka nevojë tani për një solidaritet në Europën perëndimore, në diasporë por edhe në vendin e origjinës në Kosovë”, është shprehur Georg Haesle.

Në botëkuptime të ndryshme dhe moskuptime shoqërore, fëmijët e diasporës shpesh kanë ikur pa lejen e familjeve, duke lënë ata në ankth dhe në një bashkëjetesë me kritika të shumta, në vendet që ju kanë krijuar kushte për një jetë më të mirë.

Top Channel