Incidenti në Lezhë, LSI akuzon PD-në. Luan Rama: PD të distancohet nga elementët kriminalë

20/06/2015 00:00

Për incidentin e ndodhur në Lezhë, reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Luan Rama, në një deklaratë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të premtes, i kërkoi Partisë Demokratike që të distancohet nga personat e inkriminuar dhe ta dënoi ngjarjen.

“Njerëz të armatosur, banditë, nën shoqërinë e deputetëve të PD-së, kanë qëlluar me armë zjarri pranë makinës ku udhëtonte deputetja Monika Kryemadhi. Natyrisht që kjo ngjarje e rëndë nuk është gjë tjetër veçse një rast, një episod, në tërësinë e episodeve kriminal të shfaqur gjatë ditëve të fundit ku eksponentë të Partisë Demokratike, kandidatë të Partisë Demokratike, të dëshpëruar nga humbja dhe të bindur që kanë kundër shumicën e qytetarëve shqiptarë, tentojnë të prishin, të komprometojnë dhe mundësisht të sabotojnë procesin zgjedhor me akte të tilla kriminale. Gjatë ditës së sotme ka pasur disa incidente të tilla në Bashkinë e Lezhës. Deputetja Monika Kryemadhi, kandidati për kryetar të Bashkisë të “Aleancës të Shqipërisë Europiane”, Viktor Tushaj, kanë denoncuar pranë Policisë së Qarkut të Lezhës, pranë Prokurorisë, pranë misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, raste të tilla duke kërkuar me këmbëngulje që deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike të distancohen nga veprime të tilla kriminale.

Nga ana tjetër, i kërkoj Policisë së Shtetit të mos hezitojë, por të bëjë detyrën në përmbushje dhe në zbatim të ligjit duke iu nënshtruar kontrollit ligjor të çdo mjeti ku udhëtojnë edhe deputetë të cilësdo parti qofshin. Të kontrollohen makinat e deputetëve sepse as deputetët dhe as makinat e tyre nuk kanë më imunitet. Imuniteti është vetëm tek vota e qytetarëve”, tha Luan Rama.

Top Channel