PD reagon për incidentin në Lezhë: Një skenar djallëzor dhe kriminal për të nxitur tensione

20/06/2015 00:00

Pas deklaratës së Luan Ramës për incidentin në Lezhë, ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila e cilësoi ngjarjen si shpifje të deputetes Kryemadhi.

“Partia Demokratike dënon shpifjet e pabaza të Monika Kryemadhit ndaj deputetit Bumçi, në lidhje me një pretendim ende të pakonfirmuar edhe nga policia e vënë krejtësisht në shërbim të oligarkisë. Shpifja në adresë të deputetit Bumçi është një skenar djallëzor dhe kriminal për të nxitur tensione dhe për të çorientuar vëmendjen e opinionit publik me qëllim dhunimin e standardeve të zgjedhjeve, sepse Ilir Meta e di që e ka të sigurt humbjen në Lezhë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga PD-ja.
 
Më tej në deklaratë thuhet se “Partia Demokratike distancohet me neveri të plotë nga këta skenarë kriminalë dhe i bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe votuesve të saj në Lezhë të ruajnë gjakftohtësinë. Ne i kërkojmë qytetarëve të Lezhës dhe përkrahësve tanë të mos ndikohen, të injorojnë skenarët e pështirë të LSI-së dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre duke dalë masivisht të dielën në votime për një fitore të pastër e të sigurt të Partisë Demokratike dhe kandidatit tonë për Bashkinë e Lezhës, z.Fran Frrokaj”.

Top Channel