Toka ka hyrë në periudhën e zhdukjes së madhe (e gjashta)

20/06/2015 00:00

Toka ka hyrë në një periudhë të re shfarosjeje, dhe njerëzimi mund të jetë ndër speciet e para që do ta pësojë.

Në këtë përfundim kanë mbërritur studiuesit amerikanë të tre universiteteve. Shkencëtarët e Universitetit të Stenford, atij të Princeton dhe të Berklit thonë se vertebrorët (organizmat me shtyllë kurrizore) po zhduken me një shpejtësi prej 114 herë më shumë se normalja.

Njëri prej autorëve të studimit thotë se po hyjmë në atë që në komunitetin e shkencëtarëve njihet si “zhdukja e gjashtë e madhe”. E fundit, pra e pesta, besohet se ka ndodhur rreth 65 milionë vite më parë, kur nga Toka, siç mbështesin shumë studime, u zhdukën dinosaurët nga meteorët.

“Nëse Toka do të jetë në gjendje ta mirëpresë, formave jetësore do t’u duhen miliona vite për ta rimarrë veten dhe ne me shumë gjasa do të jemi duke u zhdukur ngadalë”, thotë Gerardo Ceballos, udhëheqësi i studimit.

Nga vëzhgimet e grupit të shkencëtarëve, u gjet se vertebrorët po zhduken mbi 100 herë më shpejt se sa periudha normale në historinë e Tokës. Që prej viteve 1900, thonë ata, janë zhdukur më shumë se 400 vertebrorë. Një humbje e tillë, shton raporti, do të duhej të ndjehet në më shumë se 10 mijë vite.

Studimi i publikuar nga revistën “Science Advances” citon ndryshimet klimatike, ndotjen dhe shpyllëzimin si faktorët kryesorë të kësaj zhdukjeje.

Ekosistemet po shkatërrohen, thuhet në raport, ku si shembull jepet pjalmimi i bimëve të ndryshme nga bleta, një fenomen që mund të zhduket brenda tre brezave njerëzore.

Profesor Paul Ehrlich, pjesëmarrës në hulumtim thotë se ka plot shembuj speciesh, që konsiderohen të zhdukura tashmë, ndërsa Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës deklaron se çdo vit 50 kafshë i afrohen më shumë shfarosjes.

“Rreth 41 për qind e amfibëve dhe 25 për qind e mamalëve janë të kërcënuar nga zhdukja”, thotë ky Union, duke sjellë si shembull tipik lemurin, që mund të zhduket brenda pak viteve.

Në një rezultat të përafërt kishin mbërritur një vit më parë edhe studiuesit e “Duke University”.

Top Channel