Borxhi grek, Merkel kërkon marrëveshje para samitit të BE-së

20/06/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi Athinën se duhet të gjejë ujdinë me huadhënësit e saj para ditës së hënë, kur mbahet takimi i udhëheqësve të Bashkimit Europian.

“Në të kundërt, samiti nuk do të jetë në gjendje që të marrë ndonjë vendim”, tha Merkel.

Greqisë i kanë mbetur 11 ditë për të gjetur një marrëveshje për 1.6 miliardë Euro, aq sa është kësti i radhës që duhet të derdhë në llogaritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të kundër duhet të përballet me falimentin.

Ditët e fundit ka një rritje të panikut për gjendjen e bankave greke, ku raportimet flasin se janë tërhequr më shumë se 4 miliardë Euro vetëm brenda kësaj jave.

Të premten, Banka Qendrore Europiane miratoi një rritje shtesë në fondin e emergjencave të likuiditetit për bankat greke.

Në një raport të publikuar ditën e mërkurë, Banka Qendrore Greke paralajmëroi se dalja nga Eurozona do të vendosë ekonominë e vendit në një spirale të rrezikshme, që me shumë gjasa do të çonte deri në daljen e vendit nga Bashkimi Europian.

Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane shprehen të vendosura për të mos lëvruar asnjë qindarkë nga kësti i huasë së radhës, pa marrë më parë garancinë e disa reformave që lidhen me pensionet dhe energjinë nga ana e qeverisë greke.

Presidentja e FMN-së, Cristine Lagarde tha dy ditë më parë se për institucionin që ajo drejton, Greqia do të jetë e falimentuar më 1 korrik, nëse dështon të bëjë pagesën deri më 30 qershor.

Nga kjo situatë duket se kërkon të përfitojë Rusia. Moska kërkon të rrisë ndikimin e saj në rajon dhe për këtë ka shtrirë dorën e ndihmës për Athinën, nëse kjo e fundit do ta kërkojë një gjë të tillë.

Top Channel