Raporti për terrorizmin, DASH: Shqipëria, mbështetëse kundër ISIS-it

20/06/2015 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për terrorizmin për vitin 2014, ku vlerësohet roli i Shqipërisë si mbështetëse e fortë në përpjekjet kundër ISIS-it.

DASH vlerëson Shqipërinë për ndihmën e dhënë për luftëtarët kurdë Peshmerga në Veri të Irakut, të cilëve vendi ynë u ka dhuruar një sasi të madhe armësh dhe municioni, por thotë se Shqipëria është një vend burimi për luftëtarë të huaj terroristë që shkojnë në Siri dhe Irak.

Në raport thuhet se vendi ynë ka legjislacionin e nevojshëm që dënon aktet terroriste, financimin, transfertat e fondev, rekrutimin, trajnimin, nxitjen, krijimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste, megjithatë shprehen rezerva në zbatimin e tyre.

“Ndërsa organet e rendit në Shqipëri punojnë aktivisht për të zbuluar dhe penguar aktivitete të paligjshme që lidhen me drogat dhe trafiqet, ato ende nuk kanë të njëjtën qasje agresive për të përballuar kërcënimet e mundshme terroriste. Policia njoftoi plane në tetor të vitit 2014 zgjerimin e njësisë antiterroriste.Trajnimi dhe pajisja e kësaj njësie do të ketë nevojë për përpjekje të konsiderueshme që ajo të arrijë nivelin e duhur të kapacitetit për të përballuar me efektivitet terrorizmin. Shqipëria nuk ka kapacitetet për të grumbulluar të dhëna biometrike veç atyre të kartave të identitetit dhe pasaportave që paraqiten në pikat e kalimit kufitar”, vlerëson raporti.

Raporti vëren se Shqipëria është duke marrë teknologji për të përpunuar shenjat e gishtave në të 26 pikat e kalimit kufitar. “Teknologjia e kontrollit në kufi do t’i lejojë autoritetet të grumbullojnë të dhëna gjatë hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve”, thuhet aty.

Megjithatë, vihet re se korrupsioni i kombinuar me një sistem të dobët drejtësie, vazhdon të pengojë përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit.

DASH thotë se Shqipëria ka miratuar nisma kundër personave dhe organizatave të përfshira në lsitën e OKB-së si financuese të terrorizmit dhe ka ngritur një sistem parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terorizmit.

Raporti vlerëson bashkëpunimin e qeverisë me Komunitetin Mysliman: “Qeveria e Shqipërisë i jep ndihmë financiare Komunitetit Mysliman dhe bashkëpunon me të aktivisht për të diskutuar rreth radikalizimit dhe rekrutimit të individëve për synime terroriste”.

Top Channel