Raporti i DASH: Ekstremizmi në Kosovë ka ardhur duke u rritur

20/06/2015 00:00

Në raportin për terrorizmin për Kosovën, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se “kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme”.

Sipas këtij raporti, rreth 150–200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Problematike vlerësohen ato që DASH i konsideron “grupe të dhunshme ekstremiste”, që përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. “Megjithatë, deri më tani në Kosovë nuk kanë ndodhur incidente terroriste”, vlerëson raporti.

Në raport vlerësohen gjithashtu përpjekjet e qeverisë së Kosovës, sidomos pas publikimit të videos ku tregohej Lavdërim Muhaxheri, duke i prerë kokën një të riu në Siri: “Kjo nxiti qeverinë të fillonte një operacion antiterrorist në shkallë të gjerë. Qeveria e Kosovës e mirëpret bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për përpjekjet anti-terroriste. Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar autoritetet vendase për disa raste aktive antiterroriste”.

Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj, terroristë të kthyer. Qeveria e Kosovës ka filluar të shqyrtojë mënyrat për t’iu kundërvënë propagandës së Shtetit islamik, por nuk ka hedhur ende ndonjë hap konkret.

Sipas raportit, mungesa e anëtarësimit në shumë organizata rajonale, për shkak të bllokimit nga disa vende që nuk e njohin pavarësinë, është pengesë për Kosovën në luftën dhe përpjekjet e saj kundër terrorizmit.

Top Channel