KQZ e Kosovës, në Shqipëri për përvojë zgjedhore

20/06/2015 00:00

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë do të qëndrojnë në Shqipëri gjatë procesit zgjedhor, për të parë nga afër administrimin e këtij procesi nga ana e KQZ-së së Shqipërisë.

Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi, ka treguar se anëtarët e KQZ-së do të kenë mundësi që të lëvizin nëpër shumë qendra të votimit për të parë procesin e organizimit të zgjedhjeve.

“Kemi një marrëveshje bashkëpunimi e cila ndër të tjera ka për qëllim të kontribuoj në përmirësimin e veprimtarive të dy institucioneve të cilat merren me organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Prandaj, në përmbushje të kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të qëndrojë në Shqipëri për të parë nga afër procesin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit”, thotë ai.

Elezi ka treguar se gjatë qëndrimit në Shqipëri do të shohin detajet teknike të procesit të votimit, por edhe të formës së numërimit të votave, për të parë dhe për të marrë përvojat më të mira për t’i sjellë në Kosovë.

“Ne vlerësojmë se vëzhgimi nga afër është një mundësi e mirë për të parë praktikat e organizimit të zgjedhjeve të një vendi tjetër, dhe pse jo edhe për të adaptuar ndonjë praktikë në të ardhmen, për aq sa e lejon ligji aktual”, shton Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, në përputhje me marrëveshjet e bashkëpunimit ka vëzhguar edhe zgjedhjet në Maqedoni dhe vende tjera.
 

Top Channel