Gjuta mbetet në burg, i akuzuar për veprime terroriste. Nuk pranon asnjë akuzë

19/06/2015 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda ka konfirmuar paraditen e së shtunës masën e sigurisë “arrest me burg” për Vladimir Gjutën.

Vladimir Gjuta ka dolë këtë të shtunë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” të shpallur ndaj tij në mungesë muaj më parë dhe të konfirmuar këtë seancë, për veprën e “akteve terroriste” në dëm të biznesit të babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Procesi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë që jozyrtarisht mësohet se Gjuta nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Edhe dy shtetasit e tjerë të arrestuar bashkë me të janë lanë gjithashtu nën masën “arrest me burg” për “armëmbajtje pa leje” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Për shpërthimin me tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit, prokuroria kreu një sërë veprimesh hetimore, ndërsa prej muajsh Vladimir Gjuta rezultonte i shpallur në kërkim policor, si organizator i kësaj ngjarjeje.

Ai u arrestua ditën e enjte, përmes një operacioni të mirorganizuar nga policia dhe forcat speciale të RENEA-s në tunelin e Kalimashit. 

Top Channel