Britanikët, më të bindur se kurrë për qëndrimin në BE

20/06/2015 00:00

Rreth 66 për qind e britanikëve do të votonin për qëndrimin e mëtejshëm të Britanisë në strukturat e Bashkimit Evropian, nëse do të votohej sot për referendumin e shumëpërfolur për të ardhmen e ishullit në klubin politiko-ekonomik të kontinentit të vjetër.

Sondazhi i kryer, i cili u bënte të anketuarve të njëjtën pyetje që do bëhej në referendum, dëshmon se kjo shifër mbështetje është më e larta në 24 vitet e fundit pro qëndrimit në BE.

Kjo e dhënë përbën një lajm shumë inkurajues për kryeministrin britanik David Cameron në prag të samitit të Brukselit të javës së ardhshme, ku ai pritet të parashtrojë planet e tij për lidhjet e ardhhsme të Britanisë së Madhe me BE.

Cameron është shprehur këto ditë se ai ka besim për marrjen e konçesioneve që do të mundësojnë qëndrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat institucionle të Bashkimit Evropian.

Viti 1975 ishte hera e fundit kur britanikët mbajtën referendumin ku mbi dy të tretat e votuesve votuan për të qëndruar në Komunitetin Ekonomik Evropian, siç njihej në atë kohë BE-ja, e cila mori emrin aktual pas Traktatit të Mastrihtit.

Sondazhi i fundit britanik ndodh në kohën kur deputetë nga partia e kryeministrit dhe opozitës laburiste janë bashkuar me të vetmin deputet të partisë anti-evropiane, UKIP, për të krijuar një grup ndërparlamentare që do të bëjnë fushatë për daljen e vendit nga BE-ja.

Faktikisht, mbështetja britanike për qëndrimin e mëtejshëm të vendit në Bashkimin Evropian ka ardhur në rritje që përpara zgjedhjeve të muajit të kaluar, edhe pse Evropa nuk është në krye të prioriteteve të britanikëve të thjeshtë, të cilët mund të ndryshojnë qëndrim në rast se kontinenti do kalojë përmes trazirash dhe krizash të tjera, siç është ajo e borxhit grek.

Top Channel