KQZ: Nuk ndryshon lista në Durrës; Rrëzohet kërkesa e PD për çregjistrimin e 2800 votuesve

20/06/2015 00:00

Pasi u shpreh Kolegji Zgjedhor, demokratët i janë ridrejtuar sërish KQZ-së, me kërkesën e çregjistrimit të zgjedhësve, që sipas tyre janë shtuar në mënyrë fiktive në Bashkinë e Durrësit dhe atë të Kavajës.

“Ne besojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka të gjitha mundësitë, besoj se ky është edhe vlerësimi i Kolegjit Zgjedhor për sa kohë e ktheu këtë çështje në vëmendjen e KQZ-së, dhe vendosi që KQZ ta trajtonte me vendimmarrje”, tha Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i PD-së.

“Këta zotërinj që vijnë me kërkesën ankimore sot para KQZ-së, e dinë shumë mirë se kjo kërkesë është e parealizueshme. Edhe sikur të dojë drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, që të shkelë ligjin dhe të miratojë këtë kërkesë të paligjshme të Partisë Demokratike, nuk e bën dot. Minimalisht, një emër sikur të ndërrohet apo të lëvizë, kërkon një investim 72 orësh, ndërkohë që zgjedhjet janë nesër”, u kundërpërgjigj përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj.

“Kush është dakord me kërkesën e subjektit zgjedhor? 3 pro, 4 kundër, u mbyll kjo çështje”, u shpreh kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi.

Anëtarët e KQZ-së ndërkaq janë ndarë 4 me 3, në qëndrimin nëse është apo jo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka si detyrim të bëjë çregjistrimin e zgjedhësve.

“Nëse në mënyrë të qëllimshme i lëmë gjërat të rrjedhin dhe afatet ligjore të tejkalohen, e pastaj të thuhet se u kaluan afatet dhe tashmë s’kemi më mundësi, kjo besoj se nuk na përjashton nga përgjegjësia, askënd prej nesh”, tha Vera Shtjefni, anëtare e KQZ-së.

“U tha këtu për turpin e KQZ-së, por turpin ta mbajnë ata që e kanë bërë. Unë jam Denar Biba dhe s’kam asnjë lloj turpi për gjëra që i bëjnë të tjerët. Kjo çështje nuk është në kompetencën e KQZ-së, nuk ka një instrument ligjor për ta marrë këtë lloj vendimi dhe në lidhje me thelbin e çështjes, nëse do të merrej ky vendim në mënyrë të tillë abuzive, pa bërë asnjë lloj selektimi në këta 2800m ne nuk i kemi kapacitetet për ta bërë këtë lloj selektimi, ne do të cënonim të drejtat dhe liritë kushtetuese qoftë edhe të një qytetari”, tha anëtari tjetër i KQZ-së.

“Por a është korrekte t’i lejojmë të votojmë? Le të shkojnë të votojnë atje ku kanë banimin realisht, ose duke i transferuar aty, ose përmes vendimeve të gjykatave”, tha Klemend Zguri i PD-së.

“Ka të dhëna që ka mashtrime, dhe sigurisht që ka. Le të dënohen të tërë duke nisur nga kryetari, ai i Gjendjes Civile dhe kush i ka bërë të gjitha këto. Listën do ta gjejë prokurori dhe gjykata që e ka marrë përsipër. Ne po bëjmë shfaqjen e radhës dhe është turp ta bëjmë sot, një ditë para zgjedhjeve, për një gjë që nuk ka zgjidhje. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, edhe subjekti zgjedhor, për mosrealizimin e kësaj që kërkohet sot. Ky është turp për KQZ-në, jo vendimmarrja e mëparshme, që i kemi çuar dosjet prokurorisë”, tha Lefterie Luzi.

Me këtë ton, kryetarja e KQZ-së i është drejtuar partive politike, edhe për papërgjegjshmërinë e treguar për emërimin e anëtarëve në 12 ZAZ, kur kërkoi të shprehin vullnetin nëse në këto 12 bashki duan apo nuk duan të bëjnë zgjedhje?

Top Channel