Kallëp tritoli në shtëpinë e aktivistit të PD-së, Xhaferraj: Incident politik

20/06/2015 00:00

Gjetja e një kallëpi lëndë eksplozive para portës së jashtme të shtëpisë ka tronditur familjen Alla në fshatin Sallmone të Shijakut.

Lënda është konstatuar nga i zoti i shtëpisë Altin Alla, mëngjesin e së shtunës teksa po dilte nga shtëpia dhe menjëherë ka raportuar në sallën e shërbimit të policisë.

Alla njihet si aktivist i Partisë Demokratike në zonë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar i deleguari për të ndjekur fushatën e PD-ës në Shijak, Ferdinant Xhaferraj  dhe kandidati i kësaj force politike për zgjedhjet vendore  Redi Saraçi, të cilët e kanë konsideruar një incident politik. Xhaferraj tha se ky është një mesazh dëshpërimi dhe paniku nga ana e kundërshtarit, që do të ndëshkohet me votë nga qytetarët.

Lidhur me ngjarjen, policia tha se Alla është person pa probleme në zonë dhe se po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve të saj. Vendosja e kallëpit pa kapsollë, pa fitil a ndezës shihet si një mesazh kërcënues që dikush ka dashur t’i përcjellë familjes Alla.

Top Channel