Meta në Podgoricë, merr pjesë në punimet e Partisë Demokratike Socialiste

20/06/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, me ftesë të kryetarit të DPS-së dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përshëndeti gjatë së shtunës punimet e Kongresit të 7 të Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve në këtë aktivitet, Meta çmoi marrëdhëniet shumë të mira që ka ndërtuar Shqipëria së bashku me Malin e Zi, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike dhe kulturore, por edhe falë popullsisë shqiptare, e cila është një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të dëgjoj disa përfaqësues të partive shqiptare këtu, ashtu siç kam kënaqësinë të përfaqësoj të gjithë shqiptarët e Shqipërisë sot (e shtunë) këtu dhe, në radhë të parë, koalicionin qeverisës të Shqipërisë ‘Aleancën për Shqipërinë Europiane’. Mali i Zi është një vend i mrekullueshëm dhe miqësia e natyrshme, që ekziston mes nesh, është një shembull për të gjithë rajonin dhe për këtë ne jemi krenarë”, u shpreh Meta.

“Ne e çmojmë shumë zhvillimin e jashtëzakonshëm demokratik të Malit të Zi gjatë këtyre dy dekadave dhe, është e qartë si kristali se, shtylla kurrizore e këtij progresi substancial të Malit të Zi në këto dy dekada ka qenë pikërisht Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) me kreun e saj Milo Gjukanoviç. DPS ka bërë të mundur jo vetëm Malin e Zi, si një shtet të pavarur, por edhe Malin e Zi, si një faktor shumë të rëndësishëm të qëndrueshmërisë dhe të bashkëpunimit në të gjithë rajoni tonë”, deklaroi më tej kryetari i Kuvendit.

Ndërkaq, Ilir Meta theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një të ardhme të vetme, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe uroi që, përmes këtij kongresi, të fitohen energji të reja për të përballuar me sukses sfidat e Malit të Zi, por edhe sfidat e përbashkëta për të gjithë rajonin tonë.

“Dua t’iu siguroj se, te Shqipëria do të gjeni gjithmonë një fqinj dhe një mik të vërtetë e të besueshëm, ashtu siç e shohim dhe e ndiejmë edhe ne Malin e Zi. Dy vendet tona kanë një të ardhme të vetme, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju keni avancuar më përpara në rrugën e negociatave me BE-në. Ne, nga ana tjetër, jemi anëtarë të NATO-s prej disa vitesh. Shumë shpejt, ne do jemi me ju në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ju do jeni me ne të anëtarësuar në NATO. Kjo është rruga, që na bashkon, kjo është e ardhmja, që na pret, ndaj iu uroj përmes këtij kongresi të fitoni energji të reja për të përballuar me sukses sfidat e Malit të Zi, por edhe sfidat e përbashkëta për të gjithë rajonin tonë, për paqe dhe prosperitet për të gjithë popujt tanë”, – mbylli fjalën e tij kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Top Channel