Protesta e veteranëve të UÇK-së; Bllokojnë rrugën Kaçanik-Shkup, ndërhyn policia

20/06/2015 00:00

Protesta e paralajmëruar një ditë më parë e veteranëve të luftës së UÇK-së në Kaçanik është përshkallëzuar.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, për të larguar veteranët, të cilët bllokuan magjistralen Kaçanik-Shkup për qarkullimin e mauneve, që bartin mallra nga Maqedonia. Ndërhyrja ka ardhur pas ultimatumit të dhënë nga Policia e Kosovës për të liruar rrugën.

Arsyeja e protestës është mospublikimi i një pjese të listave të veteranëve dhe moszbatimi i ligjit në lidhje me këto lista.

Nga përballja me policinë, mësohet se është lënduar kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, njëherazi udhëheqës i protestës, Xhevdet Qeriqi, i cili më pas është dërguar për trajtim në spital.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt ka konfirmuar për Top Channel se, policia ka shoqëruar 5 persona për prishje të rendit, për të cilët tha se pas marrjes në pyetje do të lirohen.

Pas përfundimit të protestës, zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Ferizajt, Basri Shabani, tha se ishin të detyruar të ndërmerrnin masa, në mënyrë që të sigurohej lëvizja e lirë e transportit.

Protesta, e cila ishte parashikuar të zgjaste 24 orë, vazhdoi deri rreth orës 14:30, kur protestuesit filluan të shpërndahen në shenjë nderimi për veteranin Xhevdet Qeriqi, i lënduar gjatë përleshjes. Veteranët kanë paralajmëruar se, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, gjatë javës së ardhshme do të vazhdojnë përsëri me protesta, kësaj radhe edhe më të dhunshme.

Në anën tjetër, me anë të një komunikate për mediet, Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar ndërhyrjen brutale, siç thuhet në komunikatë, të Policisë së Kosovës ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Moskujdesi i shtetit të Kosovës ndaj veteranëve të luftës dhe marxhinalizimi i tyre, tashmë po shfaqet edhe përmes shtypjes konkrete të tyre, duke i sulmuar dhunshëm me polici. Në të vetmen gjuhë që di kjo qeveri, kur përballet me pakënaqësi qytetare. Në të njëjtën kohë, kur zyrtarët qeveritarë po gllabërojnë çdo pasuri publike për vete në emër të UÇK-së, kanë rritur edhe brutalitetin pikërisht ndaj ushtarëve të UÇK-së, që po angazhohen, por dhe të gjithë ushtarëve e vlerave të luftës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Top Channel