Shfarosja e karkalecit, nis dezinfektimi i tokave në Prrenjas

20/06/2015 00:00

Ministria e Bujqësisë ka nisur dezinfektimin e tokave bujqësore në Rrajcë të Prrenjasit, toka që janë prekur nga karkaleci, një insekt që dëmton gjethet e bimëve duke shkaktuar tharjen e tyre.

Sipas ministrit Edmond Panariti, dezinfektimi do të vijojë në të gjitha zonat e prekura për të bërë të mundur mbrojtjen e kulturave bujqësore por edhe të pemishteve.

“Jemi fokusuar në tre-katër vatra, ku duket që dhe infektimi është më i lartë, duke tentuar ta mbajmë në kontroll, ta eleminojmë në këto vatra, për të penguar më pas zgjerimin në zonat përreth. Trajtimi po bëhet sipas të gjitha kritereve, ku përfshihet në këtë mes dhe karkaleci. Ka filluar spërkatja në të gjitha zonat e Rajcës dhe do të shtrihet më pas në gjithë Qarkun e Elbasanit”, tha ministri i Bujqësisë.

Nga Prrenjasi ministri Panariti njoftoi gjithashtu edhe një investim të rëndësishëm, i cili nis së shpejti në këtë zonë nga një investitor italian. Bëhet fjalë për mbjelljen e 20 hektarëve me varietete rrushi, investim që do të pasohet nga ndërtimi i një kantine vere.

Panariti e vlerësoi këtë investim duke theksuar edhe impaktin që ai do të ketë për punësimin e banorëve të zonës. Në mënyrë direkte – tha Panariti – do të punësohen 100 persona, por për të plotësuar kapacitetet e kantinës do të duhen edhe punëtorë të tjerë, ku numri pritet të arrijë në 1 mijë persona.

Top Channel