Pas vrasjes së 9 afro-amerikanëve në një kishë, Obama: Të gjithë kundër racizmit

20/06/2015 00:00

Racizmi vazhdon të mbetet një plagë e kësaj shoqërie, tha në San Francisco Presidenti amerikan, Barack Obama, duke iu referuar vrasjes së 9 afro-amerikanëve në një kishë të Karolinës së Jugut.

Policia, që në fillim e trajtoi ngjarjen e rëndë si një krim të nxitur nga urrejtja. Përpara se shefi i Shtëpisë së Bardhë të tregonte me fjalët e tij se, ajo që ka e munduar kombin prej dekadash të tëra ende nuk është kapërcyer plotësisht, autori i masakrës Dylann Roof doli përpara gjykatës për t’u përballur me 9 akuzat për vrasje me paramendim.

21-vjeçari nuk tregoi asnjë emocion, as kur të afërmit e viktimave iu drejtuan atij drejtpërdrejt. Unë të fal për atë që bëre, tha mes lotëve vajza e njërit prej atyre, që humbën jetën nga plumbat e të riut të bardhë. Obama e lavdëroi gjestin e saj dhe të të tjerëve, ndërsa episodin vet e përshkroi si tregues të vazhdimësisë së një fenomeni ende të pafashitur.

“Arsyet e agresorit na kujtojnë se racizmi vazhdon të jetë një plagë, të cilën duhet ta luftojmë së bashku. Kur ai helmon mendjet e të rinjve, tradhëton idealet tona dhe shkatërron demokracinë, që kemi ndërtuar. Vullneti i familjarëve për të falur, nga ana tjetër, është një shprehje gati e paimagjinueshme besimi, e cila reflekton mirësinë e popullit amerikan”, tha Obama.

Nisur nga ngjarja e rëndë, Obama ripërsëriti thirrjet për një debat të ri mbi kontrollin e armëve e i kërkoi Kongresit të ndjekë opinionin publik.

“Nuk mjafton thjesht të shprehim simpatinë tonë. Është koha të kalojmë në veprim”, tha Obama.

Propozimet e mëhershme për ndalimin e armëve të zjarrit nuk kanë mundur ta marrin mbështetjen e Senatit amerikan. Domosdoshmëria e kontrollit të armëve u bë edhe më e mprehtë, pas vrasjes së 20 fëmijëve dhe 6 të rriturve në shkollën fillore “Sandy Hook”, por pavarësish indinjatës që ngjalli ai rast, shumë amerikanë u shprehën të shqetësuar për ndonjë veprim të qeverisë, që mund të kufizojë të drejtën e tyre kushtetuese të armëmbajtjes.

Top Channel