Parlamenti britanik në rrezik, godina 900-vjeçare ka nevojë për restaurim

20/06/2015 00:00

Parlamenti britanik është në shkatërrim e sipër dhe ky konkluzion nuk është kritikë e natyrës politike por si strukturë ndërtimore.

E ndërtuar si kompleks në pjesën më të madhe në shkekullin XIX, kjo ndërtesë është pjesë e trashëgimisë botërore dhe mbrohet nga UNESCO.

Pikërisht se është rreth 900-vjeçare si ndërtesë, një agjenci vlerësimi dhe konsulence ka konkluduar se do duhen në rastin më të keq rreth 3 dekada dhe një shumë prej 7 miliardë stërlinash për riparimin e ndërtesës së demokracisë parlamentare britanike.

Ndërtesa nuk ka pasur riparime që nga viti 1950 dhe nëse nuk bëhen riparimet, ajo nuk do të jetë më aty ku është për brezat  e ardhshëm, duke qenë se ndodhet në buzë të lumit Tamiz, që përshkon mespërmes Londrën dhe ka probleme me lagështirën dhe instalimet elektrike.

Konsulentët e “Deloitte Real Estate”, që kanë bërë vlerësimin, kane parashtruar disa opsione. Nëse deputetët britanikë dhe stafet e tyre do të shpërnguleshin nga ndërtesa për të kryer punimet do të duheshin 6 vjet dhe afro 4 miliardë stërlina buxhet, ndërsa nëse do të qëndronin në ndërtesë ndërkohë që kryheshin punimet do duhen 3 dekada dhe dyfishim i buxhetit.

Një komitet parlamentar do të shqyrtojë raportin dhe punimet nuk ka gjasa të fillojnë përpara vitit 2020. E ndërtuar si kompleks në pjesën më të madhe në shekullin XIX, pas një zjarri në vitin 1834, pjesa kryesore godinës, ajo që quhet Westmintser Hall, është një ndërtesë 900-vjeçare.

Top Channel