Incidenti i pretenduar në Cërrik, LSI: Përpjekje për të baltosur zgjedhjet

20/06/2015 00:00

Dega e Cërrikut e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka reaguar këtë pasdite lidhur me incidentin e pretenduar nga PD, për një sulm ndaj të afërmit të kandidatit të opozitës për këtë bashki.

“Shprehim keqardhjen për përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të opozitës dhe të vetë kandidatit të saj në këtë bashki, për të përbaltur procesin e zgjedhjeve vendore”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas LSI, eksponentë të opozitës në disa raste janë përpjekur pa sukses të lidhin ngjarje banale me procesin zgjjedhor, “i cili ka qenë tërësisht i qetë dhe në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira të zhvillimit të zgjedhjeve”.

“Një përpjekje e tillë u bë edhe mbrëmë pas një aksidenti automobilistik të një anëtari të stafit të kandidatit të opozitës, i cili, sipas burimeve nga policia dhe familjarët e të aksidentuarit, doli nga rruga sepse drejtonte automjetin me shpejtësi përtej normave të lejuara”, vijon më tej komunikata.

LSI e siguron kandidatin e opozitës se, “asnjë provokim apo shpifje nuk do të mund të cënojnë sado pak integritetin e një procesi zgjedhor normal e të qytetëruar si asnjëherë më parë, gjë që për LSI është më i rëndësishëm se rezultati i zgjedhjeve”.

Top Channel