Gardhi hungarez me Serbinë, Vuçiç kundërshton: Nuk mendojmë se duhen mure

20/06/2015 00:00

Qeveria e Hungarisë ka vendosur të ndërtojë një gardh në kufirin e saj me Serbinë. Pas emigrantëve kosovarë, mijëra emigrantë nga vendet afrikane kalojnë përditë kufirin, që është edhe linja e parë me zonën “Schengen” dhe rrugëkalim për në Perëndim.

E ndërsa BE-ja është duke u përballur me këtë problem, emigrantët e paligjshëm ikin edhe nga Bullgaria e Greqia. Një mur në Hungari tashmë është ndërtuar. Por, a do të bëhet Evropa një vend muresh e rrethimesh? Për hungarezët, kjo duket një punë e kryer.

Në Asshothalom, qendrën e parë, kryebashkiaku është i lumtur. Ai kishte propozuar gardh kohë më parë.

“Neve na duhet ky gardh dhe duhet ta mbrojmë shtetin tonë nga emigrantët ilegalë. Por, ky gardh nuk është i mjaftueshëm, sepse ata mund edhe ta shkelin gardhin e të futen sërish. Ne duam, që këtu të jetë dhe policia, ndërsa gardhi vetëm mund të ndihmojë, e sigurisht ata duhet ta mbrojnë”, tha Laszlo Torockay, kryebashkiak i Asshothalom.

Në këtë zonë, emigrantët janë të dukshëm dhe ende ka punë për të bërë. Ata kërkojnë vetëm siguri dhe një jetë më të mirë. Por ky vrull, që në përditshmëri është i padukshëm, muajt e fundit është rritur 100 për qind.

Të gjitha vendet i konsiderojnë emigrantët tranzit dhe askush nuk u ofron një strehim të vërtetë. Megjithatë, ndërtimi i një gardhi është shembull i keq për Serbinë.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk mund të ndërtojnë një gardh me Maqedoninë dhe me Bullgarinë.

“Ne do të duhet të ndajmë disa mjete. Të shohim sa do ndikojë, por Evropa duhet të na japë një përgjigje për këtë. Nëse dikush mendon se muret janë përgjigje, tashmë në shekullin e XXI-të, ne mendojmë se jo”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Megjithatë, emigrantët në të gjithë Ballkanin duket se përmenden vetëm si problem. Pa shumë parà për t’i ndihmuar, Evropa nuk reagon dhe duket se, në heshtje, liria e lëvizjes është arritur.

Top Channel