Austri, Hamilton: Kërkova më shumë se ç’duhej; Vettel: Kemi ende mundësi në garë

20/06/2015 00:00

Ferrari duket se do të bëjë gjithçka… me Vettelin, i cili niset nga vija e dytë pas shpatullave të dy Mercedesëve thuajse të pakapshëm. E megjithatë, gjermani duket me besim të madh për të dielën.

“Mendoja se isha shumë më pranë rivalëve, – thotë Sebastian, – por ata u shfaqën sërish shumë të shpejtë. Vendi i parë ishte shumë larg, gjithsesi. Ishin prova të komplikuara për të gjithë ne, por besoj se Mercedesët kanë mundësinë të rrisin performancat e tyre kur iu nevojitet gjatë kualifikueseve. Ka ende shumë punë për të bërë, por dua të falënderoj skuadrën për sa ka bërë deri tani. Mendoj se kemi një makinë të mirë për garën e nesërme, jemi të shpejtë dhe besoj se konkurrues. Besoj se do t’iu afrohemi edhe më shumë të dielën dy ‘shigjetave të argjendta’. Kjo është një pistë që kërkon gjithnjë të arrish limitet. Nico dhe Lewis, për të kapur maksimumin e mundshëm, arritën edhe të gabonin, ndaj dhe shpresojmë që e njëjta gjë t’u ndodhë edhe gjatë garës. Zakonisht, ai që bën më pak gabime në garë dhe që niset nga vendet e para i ka të gjitha mundësitë të fitojë garën”.

Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës Raikkonen përbën anën e errët të Ferrarit gjatë kësaj të shtune, pasi piloti finlandez i mbylli provat zyrtare që në minisesionin e parë, duke siguruar vetëm vendin e 14, dhe kjo, falë penalizimeve të të tjerëve. “Një e shtunë m…, – është shprehur me stilin e tij prej personi ‘të akullt’ finlandezi. – Nuk e di çfarë ndodhi, mendova se kisha për të bërë edhe një tjetër xhiro, por nuk ndodhi kështu. Tashmë do të kërkoj të bëj më të mirën për t’u ngjitur sa më shumë”.

Sa i përket britanikut Hamilton, sigurisht i lumtur për ‘pole position’-in, megjithatë edhe ai vetë e pranon se nuk ishte i përsosur. “Ishte një situatë tepër e vështirë për shkak të kushteve të pistës. Jam krenar që munda të siguroja kohën më të shpejtë në pjesën e parë të minisesionit të tretë, sepse në fund tentova maksimumin, por nuk ia dola, madje dola edhe jashtë piste. Makina nuk më mori marshin, humba kohë dhe dola nga pista, por për fat të mirë arrita të mbaj vendin e parë”, u shpreh Lewis Hamilton.

Ndërsa Rosberg? Ai që mund të quhet “fat” për Hamiltonin, sigurisht që përkthehet në “gabim” për Rosberg… “Nuk ndoqa trajektoren e duhur në pistë dhe siç e dini dola edhe unë jashtë piste, – thotë Nico. – Ndoshta duhet të tregohesha më i kujdesshëm, më vjen keq. Isha në avantazh ndaj britanikut, e dija se duhej të jepja maksimumin, por në këtë pistë është e vështirë të gjesh pikën e duhur të frenimit dhe mund të gabosh shumë më lehtë se në pista të tjera. Tashmë duhet të tentoj të kap Hamiltonin gjatë garës”, tha gjermani i Mercedesit.

Top Channel