Ministri i Shtetit, Alekos Flambouraris, i ka bërë të ditur medias greke se është besimplotë, që Banka Qendrore Europiane nuk do ta lejojë sistemin bankar të Greqisë të falimentojë. Raportimet e fundit bëjnë të ditur se miliarda euro janë tërhequr nga bankat greke gjatë javës së kaluar.

Samiti vjen pas përpjekjeve të shumta për të parandaluar falimentimin e Greqisë, për shkak të borxhit prej 1,6 miliardë eurosh që Greqia detyrohet t’ia paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Komisioni Europian, FMN dhe BQE nuk duan të zhbllokojnë këstet e ndihmës së shpëtimit për Greqinë, deri sa kjo e fundit të pranojë ndërmarrjen e reformave shtrënguese për popullin grek.

Ata kërkojnë që Greqia të implementojë një seri ndryshimesh ekonomike në fusha të tilla si pensionet, TVSH-ja, si dhe te tepricat buxhetore, përpara se të lirojnë fondin prej 7,2 miliardë euro, e cila është shtyrë që prej muajit shkurt. Detajet për propozimin e ri edhe nuk janë bërë të ditura.

Megjithatë, kryeministri grek, Alexis Tsipras, tha se ishte besimplotë “që do të ketë një zgjidhje bazuar mbi respektimin e rregullave të BE-së dhe demokracisë, që do të lejojë kthimin e Greqisë drejt rritjes ekonomike dhe qëndrimin e saj në Eurozonë”.

Por, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se mund të ketë një marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve të Athinës përpara samitit të së hënës. Përndryshe, tha ajo, samiti nuk do të mund të marrë ndonjë vendim.

Tsipras, nga ana e tij, tha se do të zhvillojë bisedime të mëtejshme me ekipin e tij negociator në Athinë, të shtunën, teksa Greqia ka më pak se dy javë kohë përpara ripagimit të këstit të huadhënies FMN-së.

Nëse Greqia dështon të paguajë borxhin, ajo rrezikon të largohet nga Eurozona dhe me shumë mundësi edhe nga BE. Të premten, BQE miratoi më shumë ndihma emergjente ndaj bankave të Greqisë, por sasia e fondeve shtesë ende nuk është zbuluar zyrtarisht.

Top Channel