Dhunimi i 16-vjeçarit, PDIU reagon kundër aktit në Delvinë

20/06/2015 00:00

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënon me ashpërsi ngjarjen e shëmtuar, që ndodhi gjatë pasdites së të shtunës në Delvinë, ku një i afërm i kandidatit të Partisë Demokratike dhunoi djalin 16-vjeçar të kryetarit të PDIU-së në këtë qytet.

PDIU i bën thirrje prokurorisë të kryejë veprimet e domosdoshme dhe të vendosë sa më shpejt para drejtësisë autorin e ngjarjes. PDIU i bën gjithashtu thirrje Partisë Demokratike, që të tërheqë sa më shpejt elementët e rrezikshëm nga procesi zgjedhor, si dhe të ruajë qetësinë për të zhvilluar zgjedhje siç u ka hije qytetarëve tanë.

Kandidati i PD-së në Delvinë, Dhurim Alinani, nuk duhet të harrojë se ka fituar dy mandate radhazi në postin e kryetarit të Bashkisë, vetëm në sajë të mbështetjes së PDIU-së. Humbja e sigurtë në zgjedhjet e 21 qershorit nuk përligj këto akte të shëmtuara. Alinani do të përballet me ndëshkimin e qytetarëve më 21 qershor, por edhe me drejtësinë.

PDIU u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të ruajnë qetësinë dhe të shprehin me votë përbuzjen për akte të tilla dhune.

Top Channel