Aksidenti i Cërrikut, policia: Përplasje si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit

20/06/2015 00:00

Policia e Qarkut të Elbasanit ka hedhur poshtë versionin e lajmit të qarkulluar gjatë paradites së të shtunës në disa medie vendase, sipas të cilit kandidati demokrat për Bashkinë e Cërrikut pretendon se një simpatizant i PD-së është aksidentuar me automjet nga një simpatizant i LSI-së, duke dhënë edhe shpjegime të mëtejshme.

Sipas policisë, 60 minuta para mesnatës mes të shtunës dhe të dielës, ka nisur një procesid penal në gjendje të lirë për shtetasin Erjon Baha, 24 vjeç, banues në fshatin Shtërmen të Elbasanit, pasi mori një telefonatë nga Urgjenca e Spitalit të Cërrikut për një shtetas të aksidentuar. Me të shkuar atje, forcat blu morën në pyetje të dëmtuarin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pavarësisht se Qamil Boja, kandidat i PD-së për Bashkinë e Cërrikut pretendoi se simpatizanti Baha ishte aksidentuar qëllimisht nga një simpatizant i LSI-së, shërbimet e policisë dhe ekspertët e kriminalistikës, pasi verifikuan vendngjarjen, konstatuan se mjeti tip Honda, me targa AKB 5746, me drejtues Erjon Bahan kishte dalë nga rruga dhe ishte përplasur me një mur rrethues të një banese, duke përfunduar edhe në kanal.

Edhe vetë personi i dëmtuar nuk paraqiti pretendime para policisë, por u mjaftua vetëm me pohimin se kishte dalë nga rruga pasi kishte humbur kontrollin e mjetit. Për këtë rast, njofton Drejtoria e Policisë së Elbasanit, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Top Channel