Policia merr në ruajtje objektet zgjedhore

21/06/2015 00:00

Ndërsa na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e procesit të votimit të zgjedhjeve lokale, Policia e Shtetit ka njoftuar se po kryen me angazhim maksimal detyrat që i ngarkon ligji, duke marrë në ruajtje objektet zgjedhore.

Bëhet e ditur se ky proces ka nisur rreth orës 18:00 të së shtunës dhe në disa qarqe të vendit ka përfunduar pak pas mesnate.

Policia e Qarkut Elbasan ka njoftuar se rreth orës 00:15 ka përfunduar plotësisht futja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit dhe dorëzimi i qendrave të votimit  të mbyllura nga komisioni për t’i ruajtur fizikisht nga jashtë punonjësi i policisë. Gjithsej në këtë qark janë angazhuar 545  punonjës policie.

Ndërkohë në Qarkun e Durrësit, Korçës dhe Lezhës bëhet e ditur se deri në mesnatë policia ka marrë në ruajtje pjesën më të madhe të objekteve zgjedhore, ndërsa ishte ende duke vazhduar  futja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit.

Në Durrës janë angazhuar 379 punonjës policie, në Korçë 464, ndërsa në Lezhë 266 punonjës.

Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri ditën e nesërme kur  pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Top Channel